Çmimi i naftës në disa pika të shitjes në Kosovë ka arritur në 1.83 euro për litër, sipas çmimeve të vërejtura sot në mëngjes, ndërsa benzina shitej për 1.66 euro për litër.
Megjithatë, sipas Fadil Berjanit, ekspert i sektorit të naftës, aktualisht vërehet një rënie e çmimeve të derivateve në vend.
Berjani ka thënë për Buletinin Ekonomik se lëvizjet në tregjet ndërkombëtare dhe situata e tensionuar në Iran po ndikojnë në tregun e derivateve, duke e bërë të vështirë parashikimin e çmimeve për ditët në vijim.
Sipas tij, nafta aktualisht po sillet deri në 1.82 euro kurse benzina për 1.64 euro për litër.
“Ne nuk mund të paragjykojmë se çfarë çmimesh do të kemi në ditët në vijim, për shkak se ka lëvizje të mëdha në tregjet ndërkombëtare dhe në bursë”, ka deklaruar Berjani.
Ai ka vlerësuar se situata globale është në krizë dhe se çmimet e derivateve mbeten të larta. Por, sipas tij, çmimet në Kosovë vazhdojnë të mbeten më të ulëtat në rajon, me përjashtim të Maqedonisë së Veriut.
Ndryshe, gjatë javëve të fundit, çmimi i naftës në Kosovë ka mbetur në nivele të larta. Në fund të shtatorit, sipas të dhënave të raportuara, ai kishte arritur deri në 1.95 euro për litër.
Ndërkohë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka bërë të ditur së fundmi se, bazuar në të dhënat e Doganës së Kosovës, nuk janë vërejtur keqpërdorime në çmimet e shitjes me pakicë të derivateve. Kjo vjen pas përfundimit të vendimit për çmimet e lejuara maksimale, pas së cilit çmimet në pikat e shitjes së karburanteve në Kosovë përcaktohen nga tregu.
Sa i përket këtij vendimi, Berjani e ka vlerësuar atë si të qëlluar. Sipas tij, heqja e kufizimit të çmimeve është në përputhje me parimin e tregut të lirë dhe liberal, të përcaktuar në nenin 10 të Kushtetutës së Kosovës. /Buletini Ekonomik



