KEDS ka siguruar pjesëmarrjen në projektin GRID-PRO, përmes të cilit do të avancojë monitorimin dhe mirëmbajtjen e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike, duke përdorur teknologjinë Digital Twin dhe analiza të mbështetura në inteligjencën artificiale.
Sipas njoftimit të kompanisë, përfitimi financiar nga projekti arrin në 310,625 euro. Bashkimi Evropian do të mbulojë 70 për qind të kostove të pranueshme për pajisjet, ndërsa pjesa tjetër prej 30 për qind do të financohet nga KEDS.
Projekti përfshin qasje pa pagesë për licencë në platformën digjitale POWER VIEW, si dhe mjete për monitorimin e aseteve, identifikimin e hershëm të problemeve dhe planifikimin e mirëmbajtjes parashikuese. Këto zgjidhje synojnë të ndihmojnë në përdorimin më efikas të të dhënave për menaxhimin e rrjetit.
Sipas planit të publikuar nga KEDS, projekti do të nisë më 1 janar 2027. Ai synon të kontribuojë në modernizimin e infrastrukturës së shpërndarjes dhe në përmirësimin e qëndrueshmërisë së saj.



