Familjet që plotësojnë kriteret për mbështetje sociale mund të aplikojnë nga 19 tetori për të përfituar subvencionim të faturave të energjisë elektrike për periudhën 2026–2027. Afati i aplikimit do të jetë i hapur deri më 31 mars 2027.
Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka njoftuar se mbështetja ofrohet përmes Programit për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike. Subvencionimi fillon nga muaji kur aplikimi miratohet dhe nuk zbatohet në mënyrë retroaktive, përcjell Energy Monitor.
Aplikimi bëhet përmes platformës eKosova, në kategorinë “Familja”, dhe mund të dorëzohet nga një anëtar i ekonomisë familjare. Çdo aplikim lidhet vetëm me një njehsor elektrik.
Familjet që nuk kanë mundësi të aplikojnë online mund të kërkojnë ndihmë në Qendrat për Punë Sociale.
Institucioni u ka bërë thirrje qytetarëve që të aplikojnë sa më herët, në mënyrë që të përfitojnë nga subvencionimi për të gjithë periudhën përkatëse.
Të dhënat e deklaruara do të verifikohen nga institucionet kompetente, ndërsa informacionet e pasakta ose të paplota mund të çojnë në refuzimin e aplikimit apo kthimin e mbështetjes së përfituar.
Aplikimi bëhet në këtë adresë: https://ekosova.rks-gov.net/Service/1



