Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka siguruar furnizime shtesë me naftë nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini, në përpjekje për të përballuar krizën energjetike dhe për të ulur çmimet në Francë, raportojnë mediat e huaja.
Sipas Presidencës franceze, marrëveshjet parashikojnë rreth 200 mijë tonë naftë në muaj, nga të cilat 100 mijë tonë do të sigurohen nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe po aq nga Bahreini.
Së bashku me furnizimet e garantuara nga Arabia Saudite, Franca pritet të sigurojë gjithsej 295 mijë tonë naftë në muaj, që përbëjnë pak më shumë se 10% të konsumit të saj.
Vizita e Macronit në Gjirin Persik zhvillohet në një periudhë tensionesh të larta, pas konfliktit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, i cili ka penguar transportin e naftës përmes Ngushticës së Hormuzit.
Parisi po negocion gjithashtu për uljen e kostove të sigurimit detar, me synimin për të garantuar furnizime më të qëndrueshme dhe për të lehtësuar presionin mbi çmimet e energjisë, që ka qenë një nga arsyet e protestave të dhunshme në Francë.
Franca do të dislokojë forca ushtarake për të përforcuar policinë gjatë protestave të planifikuara për të shtunën e ardhshme, konfirmoi të martën Ministri i Brendshëm Laurent Nunez.
“Ne do të vendosim forcën Sentinelle, padyshim si një zëvendësim për forcat e sigurisë së brendshme, kryesisht për të liruar policinë dhe xhandarët në misionin e tyre për të ruajtur rendin”, tha Nunez në Asamblenë Kombëtare.
Nunez foli pasi Kryeministri Sebastien Lecornu tha se vendosja e policisë për demonstratat e së shtunës do të ishte “masive” dhe se qëllimi i tij ishte një “kthim i menjëhershëm i rendit” pas një fundjave me trazira të dhunshme. Organizatorët kanë njoftuar plane për protesta të reja.
/tvklan.al



