Home / Lajme / Ndërkombëtare / Kanadaja dhe Turqia thellojnë bashkëpunimin në energji, përfshirë LNG-në dhe energjinë bërthamore

Kanadaja dhe Turqia thellojnë bashkëpunimin në energji, përfshirë LNG-në dhe energjinë bërthamore

Kanadaja dhe Turqia kanë ngritur marrëdhëniet dypalëshe në nivelin e partneritetit strategjik, duke përcaktuar energjinë, tregtinë dhe investimet, si dhe mbrojtjen dhe sigurinë, si fusha prioritare të bashkëpunimit.

Marrëveshja u bë e ditur pas takimit në Ankara mes kryeministrit kanadez, Mark Carney, dhe presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, më 22 tetor. Gjatë vizitës së parë dypalëshe të një kryeministri kanadez në Turqi, të dyja palët ranë dakord për një plan veprimi trevjeçar që synon thellimin e marrëdhënieve ekonomike dhe politike.

Në sektorin e energjisë, të dyja vendet synojnë të zgjerojnë bashkëpunimin në gazin natyror të lëngshëm (LNG), energjinë bërthamore civile, burimet e ripërtëritshme dhe teknologjitë e pastra. Në fokus do të jenë gjithashtu mineralet kritike dhe qëndrueshmëria e infrastrukturës energjetike, përcjell Energy Monitor.

Ministrat e energjisë të dy vendeve kanë miratuar një deklaratë të përbashkët për bashkëpunimin energjetik, ndërsa partneriteti parashikon nxitjen e investimeve dhe forcimin e lidhjeve mes institucioneve dhe kompanive të sektorit.

Bashkëpunimi vjen në një kohë kur Turqia po kërkon partnerë dhe investime për zhvillimin e kapaciteteve të reja bërthamore, ndërsa Kanadaja synon të zgjerojë tregjet e saj të eksportit dhe të diversifikojë marrëdhëniet tregtare përtej Shteteve të Bashkuara, njofto Energy Monitor.

Në kuadër të partneritetit, dy vendet do të punojnë edhe drejt përfundimit të negociatave për një marrëveshje të tregtisë së lirë. Ato kanë rënë dakord gjithashtu të zgjerojnë bashkëpunimin në sektorë strategjikë dhe të lehtësojnë përfshirjen e kompanive të tyre në projekte në vende të treta.

Tregtia dypalëshe e mallrave mes Kanadasë dhe Turqisë arriti në 4,3 miliardë dollarë kanadezë në vitin 2025, ndërsa vlera e saj është rritur me afro 50 për qind gjatë pesë viteve të fundit.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com