Home / Ngjarje / Oda Amerikane dhe Gratë në Energji dhe Miniera diskutojnë investimet amerikane në sektorin minerar të Kosovës

Oda Amerikane dhe Gratë në Energji dhe Miniera diskutojnë investimet amerikane në sektorin minerar të Kosovës

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe rrjeti Gratë në Energji dhe Miniera do të organizojnë më 30 tetor një diskutim mbi potencialin minerar të Kosovës dhe mundësitë e investimeve nga bizneset amerikane, me fokus te lëndët e para kritike dhe roli i vendit në zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit.

Ngjarja do të mbahet në zyrat e Odës Amerikane në Prishtinë, nga ora 11:00 deri në 12:40, dhe do të mbledhë përfaqësues të institucioneve të Kosovës, industrisë minerare, akademisë, komunitetit të biznesit amerikan dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Diskutimi do të përqendrohet në mundësitë për investime të përgjegjshme në sektorin minerar, si dhe në politikat dhe kuadrin institucional që nevojiten për të tërhequr kapital ndërkombëtar dhe për të nxitur zhvillimin afatgjatë të sektorit, përcjell Energy Monitor.

Një nga temat kryesore do të jetë potenciali i Kosovës për të kontribuar në zinxhirët evropianë dhe ndërkombëtarë të furnizimit me lëndë të para kritike, të rëndësishme për industri të ndryshme, përfshirë prodhimin e teknologjive të energjisë së pastër dhe tranzicionin energjetik.

Në panel pritet të marrin pjesë zëvendësministrja e Ekonomisë, Triera Kasumi Berisha, kryetari i bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, Habib Basholli, rektorja e Universitetit të Mitrovicës, Nurten Deva, si dhe drejtori ekzekutiv i Odës së Minierave, Mentor Demi. Pjesëmarrja e disa përfaqësuesve institucionalë mbetet për t’u konfirmuar.

Fjalë hyrëse do të mbajnë Shqipe Vela, kryetare e Gratë në Energji dhe Miniera, dhe Arben Mustafa, kryetar i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion në Kuvendin e Kosovës. Në agjendë është paraparë gjithashtu një fjalim nga e ngarkuara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, pjesëmarrja e së cilës ende nuk është konfirmuar.

Përmes këtij aktiviteti, AmCham dhe Gratë në Energji dhe Miniera synojnë të nxisin bashkëpunimin mes institucioneve, industrisë minerare, akademisë dhe bizneseve amerikane, si dhe të diskutojnë hapat që mund të ndihmojnë në tërheqjen e investimeve dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të pasurive minerare të Kosovës.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com