Home / Lajme / Kosova / Tranzicioni i gjelbër në Kosovë përballet me pengesa administrative dhe vështirësi për qytetarët

Tranzicioni i gjelbër në Kosovë përballet me pengesa administrative dhe vështirësi për qytetarët

Lëvizja FOL dhe Instituti Demokracia për Zhvillim (D4D) kanë prezantuar të martën dy raporte mbi pengesat ligjore dhe administrative për zhvillimin e energjisë së ripërtëritshme në Kosovë, si dhe vështirësitë që hasin qytetarët kur aplikojnë për mbështetje financiare.

Në konferencën e mbajtur më 27 tetor, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, u prezantuan analiza ligjore “Hartëzimi i Legjislacionit dhe Procedurave të Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë në Kosovë” dhe raporti “Qasja në Tranzicionin e Gjelbër: Çfarë thonë Qytetarët për Mbështetjen e Energjisë së Ripërtëritshme në Kosovë?”.

Drejtoresha ekzekutive e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli-Nimani, tha se Kosova ka një bazë të fortë ligjore për energjinë e ripërtëritshme, por zbatimi i saj pengohet nga procedurat administrative të shpërndara në disa institucione. Sipas saj, qytetarët duhet të komunikojnë me institucione të ndryshme për të realizuar një investim, pa pasur një pikë të vetme kontakti që i udhëzon gjatë gjithë procesit.

Zëvendësministri në Ministrinë e Ekonomisë, Getoar Mjeku, theksoi se tranzicioni energjetik duhet të jetë një angazhim afatgjatë që balancon sigurinë e furnizimit, mbrojtjen e mjedisit dhe përballueshmërinë e kostove për qytetarët. Ai vuri në pah nevojën që korniza ligjore dhe investimet në burime të ripërtëritshme të përkthehen në përfitime konkrete për qytetarët, përmes procedurave më të lehta, masave mbështetëse dhe investimeve në efiçiencë energjetike, përcjell Energy Monitor.

Ndërkaq, drejtoresha ekzekutive e organizatës EcoZ, Egzona Shala, ngriti çështjen e qasjes së barabartë në tranzicionin e gjelbër. Ajo theksoi se ky proces nuk duhet të vlerësohet vetëm përmes objektivave mjedisore, por edhe nga ndikimi në cilësinë e jetës, krijimin e mundësive për të rinjtë dhe zhvillimin e aftësive të nevojshme për të ardhmen.

Analiza ligjore e FOL-it identifikon disa pengesa, përfshirë mungesën e koordinimit ndërmjet institucioneve, paqartësitë për dokumentet dhe lejet e nevojshme, si dhe mungesën e një procesi të integruar për autorizimin, lidhjen në rrjet, marrëveshjet me furnizuesit dhe verifikimin teknik.

Raporti vlerëson se nevojiten procedura më të qarta, një mekanizëm më i centralizuar për orientimin e qytetarëve dhe akte nënligjore për zbatimin e dispozitave që lidhen me komunitetet e energjisë së ripërtëritshme dhe vetëkonsumin kolektiv.

Gjetjet e raportit të D4D-së, të prezantuara nga drejtoresha e këtij instituti, Rezarta Delibashzade-Krasniqi, tregojnë se qasja në skemat e mbështetjes vazhdon të jetë sfiduese për një pjesë të qytetarëve, njofton Energy Monitor.

Sipas të dhënave të prezantuara, 47.7 për qind e të anketuarve kishin aplikuar ose tentuar të aplikonin për mbështetje, ndërsa vetëm 25.3 për qind raportuan se kishin pasur sukses me aplikimin. Gjithashtu, 49 për qind i konsideronin të paqarta procedurat dhe kriteret e aplikimit, ndërsa gati gjysma e aplikuesve i përshkruanin procedurat administrative si disi ose shumë të vështira.

Raporti evidenton pritjet e gjata, procedurat e ndërlikuara, kërkesat për dokumentacion dhe vështirësinë për të përballuar investimin fillestar si pengesa për familjet që synojnë të investojnë në energji të ripërtëritshme dhe efiçiencë energjetike.

Në pjesën e dytë të konferencës u mbajt një panel diskutimi, i moderuar nga Uran Haxha, ku morën pjesë drejtoresha menaxhuese e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Njomza Hoxha, përfaqësuesi i INDEP-it, Burim Ejupi, si dhe njohësi i fushës së legjislacionit, Jeton Oruçi.

Diskutimi u përqendrua te luftimi i varfërisë energjetike, qasja e qytetarëve në skemat e subvencionimit dhe zbatimi i legjislacionit për energjinë e ripërtëritshme. Pjesëmarrësit nënvizuan nevojën për rishikimin e kritereve të përfitimit, përfshirjen e familjeve në nevojë, rritjen e buxhetit për masat mbështetëse dhe krijimin e mekanizmave të qëndrueshëm të financimit.

Sipas përfundimeve të konferencës, procedurat e ndërlikuara, koordinimi i pamjaftueshëm institucional dhe vonesat në nxjerrjen e akteve nënligjore mbeten pengesa për zbatimin efektiv të politikave energjetike. Për ta bërë tranzicionin e gjelbër më të qasshëm, nevojiten përgjegjësi të qarta institucionale, afate konkrete dhe informim më transparent për kriteret dhe përzgjedhjen e përfituesve.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com