Home / Lajme / Rajoni / Shqipëri: Hapet tender për modernizimin e sistemit të leximit të matësave

Shqipëri: Hapet tender për modernizimin e sistemit të leximit të matësave

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Shqipëri (OSHEE) ka hapur tender me fond limit prej 29,6 milionë lekësh për modernizimin e Platformës së Leximeve, sistemit që përdoret për menaxhimin e leximit manual të matësave të energjisë elektrike.

Platforma administron të dhënat e mbledhura nga lexuesit në terren dhe mbulon procesin nga dërgimi i informacionit deri te kontrolli dhe gjurmimi i veprimeve nga strukturat përgjegjëse.

Sipas raportimit të WallStreet Albania, modernizimi synon të rrisë shpejtësinë dhe saktësinë e leximeve, të ulë gabimet njerëzore dhe mundësitë për abuzime, si dhe të përmirësojë kontrollin mbi të dhënat, përcjell Energy Monitor.

Për shkak të lidhjes së drejtpërdrejtë me faturimin dhe arkëtimin, funksionimi i platformës është i rëndësishëm për vazhdimësinë e operacioneve të OSHEE-së. Ndër aspektet kryesore të modernizimit janë siguria e informacionit, integriteti i të dhënave, performanca dhe qëndrueshmëria e sistemit.

Projekti synon gjithashtu të mundësojë integrimin e platformës me sisteme dhe shërbime të tjera të OSHEE-së, për të përmirësuar shkëmbimin e informacionit dhe efikasitetin e proceseve të brendshme.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com