Forcimi i bashkëpunimit ekonomik, tërheqja e investimeve dhe krijimi i partneriteteve të reja ndërmjet bizneseve gjermane dhe kosovare ishin në fokus të Forumit të Tretë Ekonomik Gjermano-Kosovar, i cili u mbajt në Prishtinë.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, tha se synimi është që marrëdhëniet ekonomike ndërmjet dy vendeve të avancojnë më tej, përmes partneriteteve më të ngushta, investimeve të reja dhe rritjes së shkëmbimeve tregtare.
Forumi mblodhi përfaqësues të bizneseve nga të dyja vendet, me fokus në mundësitë e bashkëpunimit në teknologjinë e informacionit dhe digjitalizim, energjinë e ripërtëritshme, prodhimtari dhe shërbime moderne.
Për potencialin e bashkëpunimit në sektorin energjetik dhe mundësitë për investime të reja në Kosovë, është diskutuar edhe në kuadër të takimeve të mëhershme me përfaqësuesit gjermanë.
Në aktivitet morën pjesë edhe kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila.
Gjermania është partneri kryesor tregtar i Kosovës dhe një nga investitorët më të rëndësishëm të huaj në vend. Forumi synon të shfrytëzojë më tej këto lidhje dhe të krijojë mundësi konkrete për investime dhe bashkëpunim ndërmjet kompanive.



