Forumi Ekonomik Gjermano-Kosovar 2026 do të mbahet më 28 dhe 29 tetor në Hotel Emerald në Prishtinë, me pjesëmarrjen e bizneseve, investitorëve, institucioneve dhe ekspertëve nga Kosova dhe Gjermania.
Edicioni i tretë i forumit mbahet nën moton “Driving the Next Economy” dhe do të fokusohet në ndryshimet që po ndikojnë në mënyrën se si kompanitë evropiane prodhojnë, investojnë dhe ndërtojnë zinxhirët e furnizimit.
Në fokus do të jenë transformimi digjital dhe inteligjenca artificiale, energjia dhe infrastruktura e qëndrueshme, prodhimi i avancuar, nearshoring-u, financimi dhe zhvillimi i fuqisë punëtore, përcjell Energy Monitor.
Organizatorët e shohin ndryshimin e zinxhirëve të furnizimit si një nga faktorët kryesorë që po riformësojnë marrëdhëniet ekonomike në Evropë. Rritja e kostove të energjisë, pasiguritë në furnizim, kërkesat e reja të pajtueshmërisë dhe mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar po i shtyjnë kompanitë të marrin më shumë parasysh afërsinë dhe besueshmërinë e furnizuesve.
Në këtë kuadër, forumi do të trajtojë edhe mundësitë për integrimin e kompanive kosovare në zinxhirët evropianë të prodhimit dhe zhvillimin e partneriteteve me kompani gjermane.
CBAM dhe kërkesat për tregun evropian
Një pjesë e programit do t’u kushtohet kërkesave që kompanitë duhet të përmbushin për të operuar në tregjet gjermane dhe evropiane.
Në mesin e temave është edhe Mekanizmi i Rregullimit Kufitar të Karbonit (CBAM), me fokus në ndikimin e tij te eksportuesit dhe konkurrueshmëria e kompanive kosovare në tregun e BE-së.
Programi parashikon gjithashtu sesione për kontratat komerciale, rregullat e reja të tregtisë me BE-në dhe pajtueshmërinë industriale.
Një tjetër pjesë do të fokusohet në gatishmërinë e kompanive për investime, përfshirë qeverisjen korporative, transparencën financiare dhe ndërtimin e partneriteteve afatgjata me investitorë dhe institucione financiare.
Energjia dhe teknologjia në fokus
Energjia e ripërtëritshme do të jetë një nga temat kryesore të forumit, së bashku me financimin e projekteve të reja dhe zhvillimin e infrastrukturës së qëndrueshme.
Në pjesën për teknologjinë do të diskutohen ndikimi i inteligjencës artificiale në mënyrën e operimit dhe konkurrimit të kompanive, si dhe mundësitë për partneritete në sektorin e ICT-së dhe nearshoring-ut, njofton Energy Monitor.
Forumi do të trajtojë edhe rolin e diasporës së biznesit kosovar në Gjermani në zhvillimin e lidhjeve të reja për investime, inovacion dhe bashkëpunim industrial.
Takime B2B dhe vizita në kompani
Programi i 28 tetorit do të përfshijë panele, diskutime dhe sesione praktike, ndërsa 29 tetori do t’u kushtohet takimeve B2B dhe vizitave në kompani dhe lokacione të biznesit.
Takimet B2B synojnë të lidhin drejtpërdrejt kompanitë kosovare dhe gjermane që kanë interesa të përbashkëta për bashkëpunim, furnizim, investime ose partneritete të tjera.
Forumi organizohet nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK).



