Home / Lajme / Efiçiencë / Fondi për Efiçiencë të Energjisë në Kosovë po përgatit skema të reja për familjet dhe bizneset

Fondi për Efiçiencë të Energjisë në Kosovë po përgatit skema të reja për familjet dhe bizneset

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) është duke punuar në skema të reja financiare për familjet dhe bizneset, me synim që të përmirësohet përdorimi i energjisë dhe të ulen shpenzimet për qytetarët në të gjithë vendin.

Për ta arritur këtë qëllim, FKEE ka siguruar përkrahje profesionale nga Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor – LuxDev, e financuar nga Qeveria e Luksemburgut. Në kuadër të bashkëpunimit, të mërkurën u mbajt një punëtori me pjesëmarrjen e ekspertëve të fushave përkatëse dhe përfaqësuesve të donatorëve të tjerë të FKEE-së.

Në këtë punëtori u diskutuan mundësitë për krijimin e skemave të reja, kriteret që duhet të plotësojnë përfituesit dhe indikatorët që do të përdoren për matjen e rezultateve. Qëllimi është që këto skema të jenë më gjithëpërfshirëse dhe më të qasshme për qytetarët dhe bizneset në të gjithë Kosovën.

FKEE deri tani ka zbatuar projekte të suksesshme përmes subvencioneve dhe skemës së kthimit të investimit, dhe kjo përvojë do të shfrytëzohet për të ndërtuar edhe instrumente të reja më efikase dhe më pranë nevojave të njerëzve.

Institucioni ka falënderuar LuxDev për mbështetjen dhe për kontributin e saj në zhvillimin e sektorit të efiçiencës së energjisë në Kosovë.