Home / Lajme / Kosova / Kosova synon të tërheqë investitorë francezë në ankandin e ri të energjisë nga era

Kosova synon të tërheqë investitorë francezë në ankandin e ri të energjisë nga era

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka diskutuar me ambasadorin e ri të Francës në Kosovë, Jean-François Huchet, për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik, përfshirë investimet në sektorin e energjisë.

Në takimin e mbajtur javën e kaluar, Rizvanolli e ka njoftuar ambasadorin për prioritetet e Ministrisë së Ekonomisë në fillim të mandatit, duke veçuar përgatitjet për ankandin e ardhshëm të energjisë nga era, të cilin synon ta hapë në muajt në vijim.

Sipas njoftimit të Ministrisë, Rizvanolli ka theksuar se energjia nga era përputhet me profilin e konsumit të energjisë në Kosovë. Ambasadori Huchet ka shprehur gatishmërinë e Ambasadës Franceze për të promovuar mundësitë e investimit dhe për të nxitur interesimin e kompanive franceze për pjesëmarrje në ankand, përcjell Energy Monitor.

Kosova tashmë ka nisur procedurat për ankandin e ri të energjisë nga era, me kapacitet të planifikuar deri në 200 MW, në bashkëpunim me Korporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC).

Në takimin me ambasadorin francez janë diskutuar edhe ndërtimi i sistemeve të reja të ngrohjes qendrore, rritja e efiçiencës së energjisë në ndërtesat shumëbanesore, zhvillimi i sektorit minerar dhe mundësitë për gazifikimin e thëngjillit.

Huchet e ka uruar Rizvanollin për fillimin e mandatit dhe ka vlerësuar rëndësinë e stabilitetit politik për avancimin e projekteve të përbashkëta. Ai ka thënë se forcimi i marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare dhe nxitja e investimeve do të jenë ndër prioritetet e angazhimit të tij në Kosovë.

Bashkëpunimi me kompanitë franceze në sektorin e energjisë është diskutuar edhe më herët. Në shkurt, gjatë aktivitetit “French Business Day”, Rizvanolli kishte përmendur ankandin e parë të erës dhe pjesëmarrjen e kompanisë franceze Akuo Energy në proces.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com