Home / Lajme / Tjera / Dështon mbledhja e Komisionit për Ekonomi, në rend dite ishte edhe shqyrtimi i projektligjit për efiçiencën e energjisë

Dështon mbledhja e Komisionit për Ekonomi, në rend dite ishte edhe shqyrtimi i projektligjit për efiçiencën e energjisë

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion i Kuvendit të Kosovës nuk ka arritur ta mbajë mbledhjen e paraparë për raportimin e anëtarëve të Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës. Në rend dite ishte edhe shqyrtimi në parim i Projektligjit për Efiçiencën e Energjisë, i cili nuk është trajtuar.

Mbledhja dështoi për shkak të mungesës së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Sipas kryetarit të komisionit, Arben Mustafa, 15 minuta para fillimit të takimit ishte dërguar një email me kërkesë për shtyrjen e mbledhjes.

Projektligji për Efiçiencën e Energjisë ishte një nga pikat që pritej të shqyrtohej në parim. Sipas Mustafës, kjo çështje nuk ishte trajtuar as në mbledhjen e kaluar, për shkak të mungesës së përfaqësuesve të ministrisë, përcjell Energy Monitor.

Qeveria e Kosovës e kishte miratuar Projektligjin për Efiçiencën e Energjisë në mbledhjen e 6 tetorit. Dokumenti përcakton objektivat, masat dhe caqet kombëtare për efiçiencën e energjisë, me synim kursimin e energjisë, rritjen e sigurisë së furnizimit dhe luftimin e varfërisë energjetike.

Sa i përket raportimit të Autoritetit të Konkurrencës, Mustafa ka thënë se kjo pikë ishte përfshirë edhe në mbledhjen e kaluar. Sipas tij, kryetarja e Autoritetit, Naime Binaku-Isufi, fillimisht kishte konfirmuar pjesëmarrjen, por më pas e kishte anuluar atë.

Për mbledhjen e fundit, sipas Mustafës, kishin konfirmuar pjesëmarrjen Binaku-Isufi dhe dy anëtaret e tjera të Autoritetit, Kaltrina Sela dhe Nafije Osdautaj.

Kryetari i komisionit ka bërë të ditur se deputetët kanë pranuar dokumente dhe dëshmi nga anëtarë të Autoritetit të Konkurrencës dhe punonjës të institucionit, të cilët kanë ngritur pretendime për parregullsi në funksionimin e tij.

Sipas Mustafës, më 16 tetor 2026 komisioni kishte pranuar një shkresë nga dy anëtaret Kaltrina Sela dhe Nafije Osdautaj. Në të, sipas tij, ato pretendonin se u ishte pamundësuar ushtrimi i detyrave të tyre në Komisionin e Konkurrencës dhe se kryetarja e Autoritetit kishte bërë shkelje ligjore.

“Komisioni për Ekonomi ka pranuar një numër dokumentesh, shkresash dhe dëshmish që ngrenë shqetësime serioze për funksionimin e Autoritetit të Konkurrencës”, ka deklaruar Mustafa.

Ai ka shtuar se komisioni ka pranuar edhe shkresa nga dy pjesëtarë të personelit të Agjencisë Kosovare të Konkurrencës, Shemsi Lezi dhe Gresa Latifi, të cilët, sipas tij, kanë ngritur pretendime për parregullsi në këtë institucion në cilësinë e sinjalizuesve.

Mustafa ka paralajmëruar se problemet e mundshme në funksionimin e Autoritetit të Konkurrencës mund të kenë pasoja për ekonominë dhe qytetarët. Sipas tij, mungesa e mbikëqyrjes efektive mund të krijojë hapësirë për marrëveshje të fshehta ndërmjet bizneseve dhe abuzim me pozitën dominuese në treg.

Pretendimet e paraqitura nga kryetari i komisionit nuk përbëjnë konstatime të një organi hetimor apo vendim përfundimtar për shkelje. Raportimi i përfaqësuesve të Autoritetit të Konkurrencës pritet t’u mundësojë deputetëve të kërkojnë sqarime për çështjet e ngritura.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com