Home / Lajme / Kosova / Ngrohja elektrike dhe mungesa e alternativave shtojnë konsumin e rrymës në Kosovë

Ngrohja elektrike dhe mungesa e alternativave shtojnë konsumin e rrymës në Kosovë

Ngrohja e banesave me energji elektrike, mungesa e sistemeve të ngrohjes qendrore në shumicën e qyteteve dhe rritja e numrit të objekteve të banimit janë ndër faktorët që ndikojnë në konsumin e lartë të energjisë elektrike në Kosovë gjatë dimrit. Kështu ka vlerësuar Burim Ejupi, drejtor ekzekutiv i Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP), në një paraqitje në emisionin “Forum” në DTV Media.

Sipas Ejupit, një pjesë e madhe e familjeve në Kosovë mbështeten te energjia elektrike për ngrohjen e shtëpive, pasi alternativat për furnizim me ngrohje qendrore mbeten të kufizuara. Përveç Termokosit në Prishtinë dhe sistemit të ngrohjes në Gjakovë, shumica e qyteteve nuk kanë rrjete të tilla që mund të ofrojnë alternativë për amvisëritë.

Ejupi ka theksuar se çdo vit në Kosovë ndërtohen dhe lëshohen në shfrytëzim së paku 2 mijë njësi të reja banimi. Në mungesë të burimeve të tjera të ngrohjes, këto banesa mbështeten kryesisht te energjia elektrike, duke shtuar kërkesën për rrymë gjatë muajve të ftohtë.

Një tjetër faktor që ndikon në rritjen e konsumit, sipas tij, është ardhja e bashkatdhetarëve nga diaspora gjatë festave të fundvitit. Shtimi i numrit të banorëve nëpër shtëpi gjatë kësaj periudhe rrit edhe nevojën për energji elektrike.

Konsumi i lartë dimëror lidhet kështu jo vetëm me mënyrën se si familjet e përdorin energjinë, por edhe me mungesën e alternativave infrastrukturore për ngrohje. Raportet e sektorit të energjisë kanë evidentuar më herët se shtrirja e kufizuar e ngrohjes qendrore dhe mungesa e sistemit të gazit natyror bëjnë që një pjesë e madhe e barrës së ngrohjes së ndërtesave të bjerë mbi energjinë elektrike.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com