Home / Lajme / Kosova / Edhe Lidhja e Bizneseve kërkon pezullimin e menjëhershëm të vendimeve të ZRrE-së dhe Qeverisë në detyrë për tregun e lirë

Edhe Lidhja e Bizneseve kërkon pezullimin e menjëhershëm të vendimeve të ZRrE-së dhe Qeverisë në detyrë për tregun e lirë

Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka shprehur shqetësim të thellë për veprimet e Qeverisë në detyrë dhe të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), të cilat, sipas saj, po ndërmerren në mungesë të kontrollit parlamentar dhe jashtë çdo përgjegjësie institucionale ndaj qytetarëve dhe sektorit privat.

Në një komunikatë për media, LBK thotë se vendimet e ZRrE-së, të mbështetura pa kushte nga qeveria, kanë imponuar daljen e detyruar të bizneseve në tregun e lirë të energjisë, përkundër vendimeve të formës së prerë të gjykatave që konfirmojnë shkelje ligjore, përkundër interesit strategjik ekonomik të vendit, dhe pavarësisht dëmeve të dokumentuara në sektorin prodhues, punësim dhe stabilitet financiar.

“ZRrE nuk ka as mandat ligjor dhe as autoritet institucional për të shpërfillur vendimet e gjykatave apo për të vepruar në kundërshtim me rendin juridik të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e LBK-së, duke kërkuar pezullimin e menjëhershëm të vendimit për kalimin në tregun e lirë.

LBK thekson se veprime të tilla të qeverisë në detyrë cenojnë të drejtat ligjore të bizneseve, rrezikojnë mirëqenien e punëtorëve dhe familjeve të tyre, cënojnë sigurinë e investimeve dhe stabilitetin bankar, dhe dëmtojnë konkurrencën e drejtë në tregun e brendshëm dhe rajonal. Sipas tyre, këto vendime duhet të bazohen në ligj dhe transparencë, jo në vendimmarrje të mbyllur dhe interpretime të njëanshme.

Duke iu referuar Ligjit për Tregun e Energjisë, LBK nënvizon se kalimi në tregun e lirë mund të bëhet vetëm kur ekzistojnë rrethana të plota për konkurrencë të hapur dhe të ndershme dhe kur kjo ndihmon zhvillimin ekonomik. “Asnjë ligj nuk legjitimon ndërhyrje që sjellin shkatërrim të drejtpërdrejtë ekonomik, rritje të kostove të operimit, falimentime të heshtura dhe tkurrje të kapaciteteve prodhuese”, theksohet në komunikatë.

Në përmbyllje, LBK paralajmëron se vazhdimi i kësaj qasjeje do të përshpejtojë falimentimin e shumë ndërmarrjeve vendore dhe bën thirrje për ndërprerje të menjëhershme të zbatimit të vendimit, respektim të ligjit dhe të vendimeve gjyqësore, si dhe për hapjen e një dialogu të strukturuar e gjithëpërfshirës me sektorin privat për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë.