Janina Ymeri ka kritikuar mënyrën e furnizimit me energji elektrike në Kosovë, duke thënë se ndërprerjet e gjata në zonat rurale dhe tensioni i ulët në zonat industriale po pamundësojnë funksionimin normal të fabrikave.
Në një reagim publik, ajo ka thënë se ulja e tensionit po përdoret si metodë për reduktimin e ngarkesës, por se kjo masë ka të njëjtin efekt si ndërprerja e energjisë për bizneset industriale.
“Pra KEDS paguhet por puna nuk kryhet”, ka shkruar Ymeri.
Ajo ka përshkruar tri mënyra të furnizimit që, sipas saj, po zbatohen: ndërprerje të gjata të energjisë në zonat rurale, ulje të tensionit në zonat industriale dhe ndërprerje më të shkurtra në qytete.
Ymeri ka vlerësuar se masat e miratuara nuk kanë efekt dhe se furnizimi me energji elektrike po bëhet përmes një qasjeje që e ka cilësuar arkaike.
Ajo ka kritikuar gjithashtu mungesën e transparencës në informimin e konsumatorëve, duke pretenduar se disa prej tyre njoftohen se po punohet, ndërsa të tjerëve u thuhet se ka probleme me nënstacionet.
Në reagimin e saj, Ymeri ka ngritur edhe çështjen e importit dhe bartjes së energjisë elektrike, duke pretenduar se në këtë proces vazhdojnë të jenë të përfshira kompani me pronësi të njëjtë si në nëntor të vitit 2025. Ajo ka përmendur kompani greke dhe tregtarë nga Shqipëria që, sipas saj, nuk prodhojnë energji elektrike.
Ymeri ka thënë se kriza energjetike nuk po menaxhohet, por po heshtet dhe po lihet të kalojë pa u adresuar problemet që e shkaktojnë.



