Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka prezantuar në Frankfurt të Gjermanisë mundësitë për investime në Kosovë, duke veçuar edhe potencialin e vendit për zhvillimin e kapaciteteve të energjisë së ripërtëritshme.
Prezantimi është bërë në edicionin e 11-të të Investment Management Exhibition (IME 2026), ku kanë marrë pjesë përfaqësues të qeverive, institucioneve dhe investitorë ndërkombëtarë.
Gjatë prezantimit, Kusari-Lila ka theksuar se Kosova synon të fuqizojë prodhimin vendor, të zhvillojë kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme dhe të rrisë eksportet.
Ministrja ka paraqitur investimet e huaja direkte, të cilat sipas saj kanë kaluar për herë të parë vlerën prej një miliard eurosh, si dhe mbi 53 mijë bizneset aktive dhe 426 mijë vendet e regjistruara të punës, përcjell Energy Monitor.
Gjermaninë e ka veçuar si një nga partnerët dhe investitorët më të rëndësishëm të Kosovës, duke bërë të ditur se rreth 200 kompani me kapital gjerman tashmë operojnë në vend.
Pjesëmarrja në këtë panair vjen pas mbajtjes së Forumit të Tretë Ekonomik Gjermano-Kosovar në Prishtinë dhe synon të nxisë partneritete të reja dhe tërheqjen e investimeve ndërkombëtare.
Megjithatë, në prezantimin e publikuar nuk janë specifikuar projekte konkrete të energjisë së ripërtëritshme, kapacitete të planifikuara apo masa të veçanta për tërheqjen e investitorëve në këtë sektor.



