Armenia po shqyrton zgjerimin e kapaciteteve të saj energjetike dhe ndërtimin e lidhjeve të reja ndërkufitare për të përballuar rritjen e kërkesës për energji elektrike, të nxitur nga zhvillimi i qendrave të të dhënave dhe inteligjencës artificiale (AI).
Kryeministri armen, Nikol Pashinyan, e prezantoi këtë synim gjatë konferencës DigiTec 2026 në Jerevan, në një diskutim me Rev Lebaredian, zëvendëspresident i kompanisë amerikane Nvidia.
Pashinyan tha se Armenia synon të lidhë rrjetin e saj energjetik me atë të Turqisë dhe Azerbajxhanit. Aktualisht, vendi është i ndërlidhur me Iranin dhe Gjeorgjinë, ndërsa po investon në përmirësimin e kapaciteteve të transmetimit të energjisë elektrike, njofton Energy Monitor.
Kryeministri e lidhi këtë zhvillim me projektin rajonal “Kryqëzimi i Paqes”, i cili synon përmirësimin e lidhjeve të transportit dhe bashkëpunimit mes vendeve të Kaukazit Jugor.
Kjo nismë vjen në një kohë kur Armenia po përballet me ndryshime në bilancin e saj energjetik. Sipas Pashinyanit, vetëm tetë muaj më parë vendi kishte më shumë energji elektrike sesa i nevojitej, ndërsa zgjerimi i qendrave të të dhënave po e rrit kërkesën dhe po e shtyn qeverinë të shqyrtojë edhe mundësinë e importeve.
Një nga projektet kryesore në këtë drejtim është ai i kompanisë Firebird, e cila po zhvillon infrastrukturë për inteligjencën artificiale në qytetin Hrazdan. Kompania ka njoftuar se synon të arrijë kapacitet prej 300 MW deri në fund të vitit 2027, me vendosjen e më shumë se 70 mijë procesorëve grafikë të Nvidia-s.
Zgjerimi i kësaj infrastrukture po e vendos furnizimin me energji elektrike në qendër të strategjisë së zhvillimit teknologjik të Armenisë. Qendrat e të dhënave për inteligjencën artificiale kërkojnë sasi të mëdha dhe të qëndrueshme të energjisë, ndërsa kapacitetet ekzistuese mund të mos jenë të mjaftueshme për planet e zgjerimit, përcjell Energy Monitor.
Rev Lebaredian nga Nvidia paralajmëroi se Armenia duhet ta shfrytëzojë përparësinë që ka fituar në këtë sektor dhe të sigurojë burime të reja të energjisë. Ai ngriti çështjen se si vendi mund të kalojë nga kapacitetet prej qindra megavatësh në disa gigavatë për të mbështetur zhvillimin e ardhshëm të inteligjencës artificiale.
Sipas tij, ndërlidhja me vendet fqinje mund të krijojë përfitime ekonomike dhe të kontribuojë në stabilitetin politik. Ai argumentoi se bashkëpunimi përmes blerjes dhe tranzitit të energjisë elektrike, si dhe ofrimit të shërbimeve të inteligjencës artificiale, mund të krijojë interesa të përbashkëta mes shteteve.
Përveç lidhjeve ndërkufitare, qeveria armene po planifikon të zgjerojë prodhimin e energjisë diellore, të investojë në sisteme të magazinimit të energjisë dhe të përmirësojë efiçiencën energjetike në ndërtesa dhe biznese.
Pashinyan ka theksuar se zhvillimi i energjisë diellore duhet të shoqërohet me kapacitete të magazinimit, pasi pa bateri një pjesë e potencialit të kësaj energjie mbetet e pashfrytëzuar. Ndërkohë, ndërtimi i një centrali të ri bërthamor mbetet pjesë e planeve për diversifikimin e burimeve të furnizimit.
Lidhjet e reja me Turqinë dhe Azerbajxhanin lidhen edhe me projektin TRIPP (Trump Route for International Peace and Prosperity), i cili synon të përmirësojë ndërlidhjen rajonale. Pashinyan ka bërë të ditur se tranziti i energjisë elektrike është një prej komponentëve të rëndësishëm të kësaj nisme.
Armenia dhe Turqia kanë diskutuar gjithashtu mundësinë e riaktivizimit të linjës ekzistuese të transmetimit Gyumri–Kars, e cila aktualisht nuk është në funksion.



