Çmimet e gazit natyror në Evropë janë rritur pas parashikimeve për rënie të temperaturave në javët e ardhshme, ndërsa rezervat në objektet e magazinimit ndodhen nën nivelin mesatar sezonal. Kombinimi i kërkesës më të lartë për ngrohje dhe pasigurisë për furnizim po shton presionin mbi tregun evropian.
Kontratat për furnizimin me gaz për muajin e ardhshëm në tregun holandez TTF, që shërben si pikë referimi për çmimet në Evropë, u rritën deri në 8.6%, duke arritur në 96.08 euro për megavat-orë (MWh). Më pas, çmimi u stabilizua në rreth 92.50 euro për MWh, me rritje prej 4%, raporton The Guardian.
Rritja e çmimeve vjen në prag të periudhës së konsumit më të lartë të gazit për ngrohje. Rezervat evropiane ndodhen në rreth 69% të kapacitetit të magazinimit, krahasuar me mesataren sezonale prej rreth 80%, njofton Energy Monitor.
Një prej faktorëve që ka ndikuar në furnizim është ngadalësimi i eksporteve të gazit nga Katari, si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme. Ndërkohë, temperaturat e larta gjatë verës kanë rritur konsumin e energjisë për ftohje dhe kondicionim, duke kufizuar mundësitë për rimbushjen e rezervave para dimrit.
Parashikimet meteorologjike tregojnë se temperaturat në Evropën Veriperëndimore mund të zbresin gjatë kësaj jave nga 3 deri në 5 gradë Celsius nën mesataren e 30 viteve të fundit. Në fillim të dhjetorit, diferenca mund të arrijë nga 5 deri në 8 gradë Celsius nën nivelet e zakonshme.
Presion shtesë mbi tregun mund të krijojë edhe dobësimi i erërave në Gjermani, Danimarkë dhe Holandë. Prodhimi më i ulët i energjisë nga turbinat me erë mund të rrisë nevojën për përdorimin e centraleve me gaz natyror për të mbuluar kërkesën për energji elektrike, përcjell Energy Monitor.
Në të njëjtën kohë, ndërprerjet në disa impiante norvegjeze po kufizojnë përkohësisht furnizimin me gaz përmes tubacioneve. Punimet e mirëmbajtjes në impiantin Nyhamna janë zgjatur, duke ndikuar në sasitë e gazit që dërgohen drejt tregjeve evropiane.
Tregu evropian mbetet gjithashtu i ekspozuar ndaj zhvillimeve gjeopolitike dhe konkurrencës ndërkombëtare për gazin natyror të lëngshëm (LNG). Parashikimet për temperatura më të ulëta në Japoni, Korenë e Jugut dhe disa rajone të Kinës mund të rrisin kërkesën aziatike për importe, duke shtuar konkurrencën për ngarkesat e disponueshme të LNG-së.
Florence Schmit, analiste e bankës Rabobank në Londër, vlerëson se moti më i ftohtë ka filluar të ndikojë në rritjen e kërkesës evropiane për gaz. Sipas saj, kjo prirje, së bashku me kërkesën në tregjet aziatike dhe rreziqet gjeopolitike, po ushtron presion mbi çmimet në afat të shkurtër.



