Negociatat në Konferencën e OKB-së për Klimën, COP31, në Antalya të Turqisë, kanë hyrë në ngërç, pasi vendet pjesëmarrëse nuk kanë arritur pajtim për tekstin përfundimtar të marrëveshjes globale për klimën. Bisedimet kanë vazhduar më shumë se 36 orë përtej afatit të paraparë, kryesisht për shkak të mospajtimeve mbi përfshirjen e një zotimi për reduktimin e përdorimit të lëndëve djegëse fosile.
Bashkimi Evropian dhe një grup shtetesh ishullore të Paqësorit kanë kundërshtuar projektmarrëveshjen e fundit, pasi ajo nuk përmban referenca për uljen e kërkesës globale për naftë, gaz dhe qymyr. Në anën tjetër, vendet prodhuese të lëndëve djegëse fosile, të udhëhequra nga Arabia Saudite, kanë kërkuar që ky zotim të hiqet nga dokumenti përfundimtar.
Panamaja, Ishujt Solomon, Bregu i Fildishtë dhe disa vende të BE-së po kërkojnë që marrëveshja të përfshijë një angazhim të qartë për largimin gradual nga përdorimi i lëndëve djegëse fosile.
“Është e papranueshme të kemi një konferencë COP ose një vendim përmbledhës që nuk i përmend fare lëndët djegëse fosile; ne thjesht nuk do ta pranojmë këtë”, deklaroi ministri i Mjedisit i Panamasë, Juan Carlos Navarro.
Komisioneri i BE-së për Klimën, Wopke Hoekstra, paralajmëroi se nëse blloku evropian nuk arrin të sigurojë angazhimet e nevojshme për veprimet klimatike, nuk do të ketë marrëveshje.
Ndërkohë, një tjetër pikë e rëndësishme e mosmarrëveshjeve lidhet me financimin për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike. Grupi Afrikan i negociatorëve po kërkon garanci për rritjen e fondeve të dedikuara për vendet në zhvillim, të cilat përballen me pasoja gjithnjë e më të rënda të ndryshimeve klimatike, pavarësisht kontributit më të vogël në emetimet globale.
Versionet e mëparshme të projektmarrëveshjes parashikonin rritjen e financimit për përshtatjen klimatike në 120 miliardë dollarë deri në vitin 2035. Megjithatë, kjo shifër është hequr nga versioni më i fundit i dokumentit, ndërsa Bashkimi Evropian ka kundërshtuar më herët kërkesat për angazhime shtesë financiare.
Ministrja e Mjedisit e Ganës dhe kryesuesja e Grupit Afrikan të negociatorëve, Zanetor Agyeman Rawlings, theksoi se vendet afrikane nuk po kërkojnë ndihmë bamirëse, por financimin që u takon për përballimin e pasojave të krizës klimatike.
Një tjetër çështje e diskutueshme është edhe formulimi i marrëveshjes për objektivin e kufizimit të ngrohjes globale në 1.5 gradë Celsius. Për herë të parë, dokumenti përfundimtar i mundshëm i COP31 mund të pranojë se bota ka dështuar në ruajtjen e këtij objektivi dhe po hyn në një periudhë të tejkalimit të përkohshëm të kufirit të synuar të temperaturës.
Shkencëtarët paralajmërojnë se tejkalimi i këtij pragu do të ekspozojë miliona njerëz të tjerë ndaj rritjes së nivelit të detit dhe valëve ekstreme të të nxehtit.
Ndërkohë, ministrja franceze për Tranzicionin Ekologjik, Monique Barbut, kritikoi përfshirjen e referencave për kapjen dhe ruajtjen e karbonit në projektmarrëveshje, duke paralajmëruar se këto teknologji nuk duhet të përdoren si arsyetim për vazhdimin e djegies së naftës dhe gazit.
Ministri australian për Klimën dhe Energjinë, Chris Bowen, i cili udhëheq negociatat, ka kundërshtuar nevojën për përfshirjen e formulimeve të drejtpërdrejta për lëndët djegëse fosile, duke argumentuar se samiti duhet të përqendrohet te zbatimi i zotimeve ekzistuese dhe kalimi drejt burimeve të pastra të energjisë.
Për shkak të mungesës së konsensusit, delegacionet kanë shtyrë largimin e tyre nga Turqia, ndërsa negociatat pritet të vazhdojnë. Nëse vendet nuk arrijnë pajtim, procesi mund të pezullohet dhe samiti të përfundojë pa një marrëveshje të re, për t’u rifilluar vitin e ardhshëm.
Sipas raportimit të BBC-së, një situatë e tillë do të ishte vetëm hera e dytë që nga fillimi i konferencave COP në vitin 1995 që negociatat përfundojnë pa një marrëveshje përfundimtare.



