Dialogu për Rrugët e Energjisë në Kosovë, i organizuar në Prishtinë nga partnerët kosovarë dhe gjermanë, ka vënë në pah sfidën e dyfishtë të sektorit: sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm me energji në afat të shkurtër dhe përgatitjen për një sistem më të pastër, më të përballueshëm dhe më të sigurt në afat të gjatë.
Më 21 tetor 2026, përfaqësues të institucioneve, profesionistë të sektorit të energjisë dhe partnerë ndërkombëtarë u mblodhën në Prishtinë në kuadër të Dialogut për Rrugët e Energjisë në Kosovë (Kosovo Energy Pathways Dialogue), për të diskutuar alternativat dhe vendimet që do të përcaktojnë të ardhmen energjetike të vendit.
Diskutimet u përqendruan në sigurinë e furnizimit, përballueshmërinë e energjisë, nevojat për investime dhe ndikimin e integrimit evropian në zgjedhjet energjetike të Kosovës.
Sipas përmbledhjes së publikuar nga GIZ-i gjerman, 88.5 për qind e energjisë elektrike vendore në vitin 2025 u prodhua nga termocentralet Kosova A dhe Kosova B, ndërsa kapacitetet e instaluara nga burimet e ripërtëritshme arritën në rreth 330 megavatë, kundrejt objektivit prej 1,600 megavatësh deri në vitin 2031.
Raporti vë në pah edhe koston shëndetësore dhe ekonomike të ndotjes së ajrit, duke vlerësuar se ndotja shkakton rreth 760 vdekje të parakohshme në vit dhe kosto ekonomike që arrijnë në 2.5 deri në 4.7 për qind të bruto produktit vendor.
Një tjetër faktor që po ndikon në të ardhmen e sektorit është politika klimatike e Bashkimit Evropian. Çmimi i karbonit në BE, i cili në tetor 2026 ishte rreth 80 euro për ton, paraqet një referencë të rëndësishme për kostot që lidhen me Mekanizmin e Rregullimit të Kufirit të Karbonit (CBAM), përfshirë eksportet e energjisë dhe produkteve të tjera me intensitet të lartë të karbonit.
Gjatë dialogut u shqyrtuan disa alternativa për mbulimin e kërkesave të ardhshme për energji, përfshirë vazhdimin e përdorimit të linjitit, mundësinë e përfshirjes së gazit, furnizimin me energji elektrike nga tregjet rajonale, si dhe përshpejtimin e investimeve në burimet e ripërtëritshme dhe sistemet e ruajtjes së energjisë.
Sipas përmbledhjes së diskutimeve, këto alternativa duhet të vlerësohen duke marrë parasysh jo vetëm kostot e prodhimit, por edhe sigurinë e furnizimit, performancën e sistemit dhe ndikimin në konkurrueshmërinë ekonomike të vendit.
Në këtë kontekst, pjesëmarrësit theksuan se obligimet ndaj Komunitetit të Energjisë, përafrimi me politikat klimatike të BE-së dhe zbatimi i CBAM-it ndikojnë tashmë në koston e zgjedhjeve energjetike të Kosovës, pa pritur anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.
Përtej zgjedhjeve afatgjata për burimet e furnizimit, dialogu identifikoi një sërë masash që mund të avancohen pavarësisht skenarit të ardhshëm energjetik.
Ndër to përfshihen rritja e efiçiencës së energjisë dhe zgjerimi i ngrohjes qendrore, investimet në sistemet e ruajtjes së energjisë dhe menaxhimin e kërkesës, përmirësimi i besueshmërisë së rrjetit dhe reduktimi i humbjeve.
Gjithashtu, u theksua rëndësia e matësve inteligjentë, përfshirjes së prosumatorëve në sistemin energjetik, integrimit të tregjeve rajonale të energjisë, si dhe fuqizimit të rregullatorit dhe zhvillimit të procedurave të prokurimit që mundësojnë financimin e projekteve.
Këto masa u konsideruan si hapa që mund të kontribuojnë në përmirësimin e sistemit energjetik edhe përpara se Kosova të marrë vendime përfundimtare për strukturën e ardhshme të prodhimit.
Në vijim të dialogut, është paraparë përgatitja e një studimi të pavarur mbi skenarët e tranzicionit energjetik të Kosovës. Gjetjet e studimit pritet të prezantohen për diskutim me institucionet dhe palët e interesuara, duke shërbyer si bazë për vlerësimin e alternativave dhe vendimmarrjen e ardhshme.
Dialogu u zhvillua në kuadër të Partneritetit për Klimën dhe Tranzicionin Energjetik ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë. Përmes bashkëpunimit institucional, shkëmbimit teknik dhe mbështetjes për hartimin e politikave, partneriteti synon të ndihmojë në shndërrimin e objektivave klimatike dhe energjetike të Kosovës në masa konkrete.



