Home / Lajme / Kosova / Serwer: LNG-ja amerikane është shumë e shtrenjtë, Kosova nuk ka infrastrukturë për ta përdorur gazin

Serwer: LNG-ja amerikane është shumë e shtrenjtë, Kosova nuk ka infrastrukturë për ta përdorur gazin

Furnizimi me gaz natyror të lëngshëm (LNG) nga Shtetet e Bashkuara nuk duhet të trajtohet si çështje parësore e sigurisë energjetike në Ballkanin Perëndimor, pasi bëhet fjalë kryesisht për një çështje ekonomike. Kështu ka vlerësuar eksperti amerikan i politikës së jashtme, Daniel Serwer, në një intervistë me publicistin Veton Surroi.

Serwer tha se LNG-ja amerikane është shumë e shtrenjtë, ndërsa Kosova nuk ka infrastrukturën e nevojshme për ta përdorur gazin në shkallë të gjerë. Sipas tij, ndërtimi i një infrastrukture të tillë do të kërkonte investime të mëdha dhe do të ishte një sfidë e konsiderueshme për vendin.

“Çështja e LNG-së për mua nuk është realisht një çështje sigurie. Është para së gjithash një çështje ekonomike. LNG-ja amerikane është shumë e shtrenjtë. Kosova nuk ka infrastrukturë për të përdorur gazin shumë”, tha Serwer.

Ai theksoi se Kosova do të duhej të ndërtonte infrastrukturë të re për të mundësuar përdorimin e gazit, qoftë në termocentrale të centralizuara apo për qëllime të tjera energjetike, përcjell Energy Monitor.

“Sa i përket sigurisë, ka shumë përbërës të sigurisë energjetike dhe gazi mund të jetë një prej tyre, por ka edhe shumë të tjerë. Dhe theksi te gazi që amerikanët sollën në Ballkan në muajt e fundit, sipas mendimit tim, është thjesht i ekzagjeruar në mënyrë groteske”, deklaroi ai.

Serwer vlerësoi se përdorimi i LNG-së amerikane mund të jetë më i përshtatshëm për Bosnjë e Hercegovinën, e cila tashmë ka infrastrukturë për gaz, sesa për Kosovën. Ai përmendi gjithashtu se Shqipëria nuk ka infrastrukturë të tillë, ndërsa vuri në pikëpyetje arsyen ekonomike për të cilën vendet e rajonit do të duhej të orientoheshin drejt blerjes së gazit amerikan.

I pyetur nga Surroi pse vende si Shqipëria apo Bosnja do të duhej të blinin LNG amerikane, Serwer u përgjigj se kjo po ndodh për shkak të presionit dhe promovimit të këtij furnizimi nga pala amerikane.

“Sepse kështu thonë amerikanët dhe po e shesin me shumë zell. Është shumë i shtrenjtë”, tha ai.

Në intervistë, Serwer vuri në pikëpyetje edhe mënyrën se si është paraqitur furnizimi me LNG amerikane në rajon, duke theksuar se mbështetja politike për ndërmarrje të caktuara private nuk duhet ngatërruar me interesin e përgjithshëm të sigurisë energjetike.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com