Home / Lajme / Kosova / GAP: Fitimet e tregtarëve të naftës në Kosovë kapin nivelin më të lartë historik në vitin 2024

GAP: Fitimet e tregtarëve të naftës në Kosovë kapin nivelin më të lartë historik në vitin 2024

Pesë kompanitë kryesore të tregtimit të derivateve në Kosovë kanë shënuar fitime rekorde gjatë vitit 2024, duke konfirmuar një trend të qëndrueshëm rritjeje në sektorin e karburanteve.

Të dhënat e përpunuara nga Instituti GAP, të mbledhura nga pasqyrat financiare të dorëzuara në Këshillin e Kosovës për Raportim Financiar, tregojnë se fitimi neto i këtyre pesë operatorëve ka arritur në 26.6 milionë euro.

Ky rezultat përbën nivelin më të lartë të fitimit të regjistruar gjatë katër viteve të fundit. Në vitin 2021, fitimi neto i kompanive ishte 18.1 milionë euro, duke rënë në 14.5 milionë në vitin 2022. Në vitin 2023 u shënua rikthimi në rritje me 18.8 milionë euro, ndërsa kulmi u arrit në vitin 2024 me 26.6 milionë euro. Në total, gjatë periudhës 2021–2024, këto kompani kanë gjeneruar 78 milionë euro fitim neto.

Rritja e vazhdueshme e fitimeve ndodh në një kontekst të çmimeve të larta të derivateve në tregun vendas dhe të një strukture tregu që vazhdon të kritikohet për mungesë konkurruese. Megjithëse çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare kanë qenë të paqëndrueshme, operatorët kryesorë në Kosovë kanë ruajtur një pozicion të fortë financiar, duke rritur efikasitetin operativ dhe përfituar nga struktura aktuale e tregut.

Instituti GAP thekson se këto të dhëna nxisin nevojën për një analizë më të thelluar mbi funksionimin e tregut të derivateve dhe ndikimin që ka ky sektor në ekonominë vendore dhe te qytetarët. Fitimet e larta të kompanive duhet të shoqërohen me një vëmendje më të madhe institucionale në drejtim të transparencës, kontrollit të çmimeve dhe mbrojtjes së konsumatorit.