Tregtimi i energjisë elektrike në bursën ALPEX u dyfishua në korrik, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë korrikut në platformën e ALPEX u tregtuan rreth 80,300 MWh energji elektrike, nga 34,600 MWh që ishin në korrikun e vitit 2023. Kjo rritje e ndjeshme pasqyron një aktivitet më të madh tregtar dhe një interes në rritje të pjesëmarrësve në tregun e energjisë.
Çmimi mesatar i energjisë për këtë periudhë u ul në 73.3 euro/MWh, nga 100.9 euro/MWh një vit më parë, duke reflektuar luhatjet në tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe rritjen e prodhimit nga burime të ripërtëritshme, transmeton Energy Monitor.
ALPEX, e cila operon si bursa e energjisë elektrike për Shqipërinë dhe Kosovën, ka për qëllim rritjen e transparencës dhe efiçiencës në tregun rajonal të energjisë, si dhe integrimin gradual me tregjet e tjera evropiane.
/Energy Monitor