Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka paralajmëruar lehtësimin e procedurave për vetëprodhimin e energjisë dhe instalimin e baterive deri në 1 MW, si dhe mundësinë që bizneset të furnizohen nga më shumë se një kompani.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka prezantuar disa ndryshime ligjore që synojnë lehtësimin e investimeve të bizneseve në prodhimin dhe ruajtjen e energjisë elektrike.
Duke folur në edicionin e tretë të konferencës “The Future of Business”, të mbajtur më 18 nëntor në Prishtinë, me temën “Nga mundësitë tek investimet”, Rizvanolli tha se po përgatiten ndryshime që do të reduktojnë barrën administrative për kompanitë që dëshirojnë të investojnë në kapacitete vetëprodhuese.
Sipas saj, instalimet e vetëprodhimit të energjisë prapa njehsorit (behind-the-meter), me kapacitet deri në 1 MW, do të mund të realizohen pa autorizim, ndërsa edhe instalimi i sistemeve të baterive deri në këtë kapacitet do të përjashtohet nga kërkesa për licencë, përcjell Energy Monitor.
Një tjetër ndryshim i paralajmëruar lidhet me furnizimin me energji elektrike. Bizneset do të kenë mundësi të kontraktojnë më shumë se një furnizues dhe të negociojnë kushte më të favorshme të furnizimit.
Rizvanolli tha gjithashtu se planifikimi i zhvillimit të rrjeteve të transmisionit dhe distribucionit do të bëhet përmes konsultimit publik dhe koordinimit ndërinstitucional, në mënyrë që investimet të reflektojnë nevojat e konsumatorëve dhe ekonomisë.
Konferenca u organizua nga Data4X, në bashkëorganizim me Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, në kuadër të Javës Globale të Ndërmarrësisë, raporton Energy Monitor.
Në të morën pjesë përfaqësues të institucioneve, komunitetit të biznesit dhe partnerëve ndërkombëtarë. Kryeministri Albin Kurti foli për Agjendën Një Miliard Euro, përmes së cilës Qeveria synon që deri në vitin 2030 të zëvendësojë një miliard euro importe me prodhim vendor.
Kurti tha se nga konsultimet paraprake me bizneset është hartuar një plan veprimi me dhjetë kërkesa konkrete, secila me institucion përgjegjës dhe afat për zbatim.



