Home / Lajme / Mjedisi / Gjeneva ofron transport publik falas për ta luftuar ndotjen

Gjeneva ofron transport publik falas për ta luftuar ndotjen

Transporti publik do të jetë përkohësisht falas në Gjenevë, për herë të parë në Zvicër, si pjesë e serisë së masave që synojnë luftimin e ndotjes së madhe në qytet, raporton Reuters.

Gjeneva, që shtrihet në pjesën perëndimore frëngjishtfolëse të Zvicrës, po regjistron kulmin e ndotjes së ozonit – gaz i dëmshëm që, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë,  mund të shkaktojë probleme të frymëmarrjes dhe mund të nxitë sulme kokë dhembjeje dhe astme.

Sistemi anti-smog i qytetit ka treguar se përqendrimet e ozonit kanë tejkaluar normat e sigurisë shëndetësore mjedisore prej 180 mikrogram për metër kub gjatë 24 orëve të fundit, bëhet e ditur në një komunikatë të Kantonit të Gjenevës.

Të martën, temperaturat shkuan në 37 shkallë Celsius, duke detyruar qeverinë që të aktivizonte alarmet kundër nxehtësisë në pjesët perëndimore dhe jugore të Zvicrës.

Temperaturat e larta dhe mungesa e vranësirave nënkuptojnë se ndotësit e ozonit akumulohen dhe marrin më shumë kohë për t’u shpërbërë, ka bërë të ditur Zyra e Mjedisit e Kantonit të Gjenevës.

Si kundërpërgjigje, transporti publik është bërë falas për herë të parë të mërkurën në mbarë kantonin, që t’i inkurajojë njerëzit që të heqin dorë prej makinave dhe të udhëtojnë me autobusë, tramvajë, trena dhe varka, me qëllim reduktimin e emetimeve të trafikut.

“Masat e marra sipas protokollit emergjent synojnë reduktimin e oksidit të nitrogjenit, duke promovuar veçanërisht transportin publik dhe qarkullimin e kufizuar të shumicës së makinave ndotëse”, thuhet në deklaratën e zyrës mjedisore për Reutersin.

Pasagjerëve nuk do t’u kërkohen bileta, dhe kontrollet do të anulohen derisa të ulet shkalla e ndotjes, kanë thënë autoritetet.

Ndërmjet orës 6 të mëngjesit dhe 10 të natës, brenda qendrës së qytetit do të lejohen të qarkullojnë vetëm makinat me shkallë të ulët të emetimit.