Zëvendësministri në detyrë i Ekonomisë, Getoar Mjeku, dhe Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëfinancimit në vlerë prej 500 mijë euro për zbatimin e projektit “Smart City”.
Ky bashkëpunim strategjik do të mundësojë transformimin digjital të qytetit të Gjilanit, përmes investimeve konkrete në infrastrukturë moderne.
Projekti përfshin instalimin e sensorëve të lidhur për monitorimin e ndriçimit publik, trafikut dhe mjedisit, si dhe ngritjen e një platforme të integruar të të dhënave që lejon analizë në kohë reale. Këto teknologji do t’i mundësojnë komunës menaxhim më efikas të burimeve dhe ndërhyrje më të shpejta në shërbimet publike.
Zbatimi i “Smart City” në Gjilan shënon një hap të madh drejt zhvillimit dhe do të shërbejë si model për komunat tjera të Kosovës, duke treguar rolin kyç të Ministrisë së Ekonomisë në mbështetjen e modernizimit lokal.