Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK), në bashkëpunim me Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Prishtinës, kanë organizuar konferencën ndërkombëtare “Twin Transformation: Reconceptualizing Organizations and Ecosystems”, ku në fokus ishin transformimi digjital, tranzicioni i gjelbër, inovacioni dhe zhvillimi i ekosistemeve sipërmarrëse.
Në hapje të konferencës, nënkryetari i ASHAK-së, Fejzullah Krasniqi, ka vlerësuar kontributin e presidentes së sapozgjedhur të Kosovës, Justina Shiroka-Pula, e cila deri së fundmi ka drejtuar Akademinë.
Krasniqi tha se përshëndetja e konferencës ishte paraparë të bëhej nga Shiroka-Pula, por ajo është zgjedhur presidente e Kosovës dy ditë më parë.
Ai e cilësoi zgjedhjen e saj si një nderim edhe për ASHAK-un, duke theksuar angazhimin e saj gjatë kohës sa ishte në krye të institucionit.
Krasniqi tha se tema e konferencës është me rëndësi për kërkimin shkencor, studimet ekonomike dhe transformimin e organizatave bashkëkohore.
Sipas tij, transformimi digjital dhe tranzicioni i gjelbër po zhvillohen si procese të ndërlidhura, të cilat po ndikojnë në mënyrën se si organizatat, institucionet dhe ekosistemet ekonomike e sipërmarrëse konceptohen dhe zhvillohen.
Ai theksoi se zhvillimet në inteligjencën artificiale, transformimin digjital, tranzicionin e gjelbër dhe ekosistemet sipërmarrëse kërkojnë qasje të reja shkencore dhe bashkëpunim më të madh ndërmjet universiteteve, institucioneve kërkimore, sektorit privat dhe aktorëve të tjerë.
Ndërkaq, profesori i Fakultetit të Ekonomisë, Besnik Krasniqi, foli për ndikimin e transformimit digjital në sipërmarrje dhe ekonomi.
Ai tha se transformimi digjital krijon mundësi të reja për inovacion dhe lidh sipërmarrësit me tregje të reja, por njëkohësisht sjell edhe sfida që lidhen me aftësitë, pabarazinë, besimin dhe privatësinë.
Sipas tij, progresi nuk duhet të matet vetëm përmes rritjes ekonomike dhe prodhimit, por edhe përmes qëndrueshmërisë, gjithëpërfshirjes dhe përgjegjshmërisë.
“Pyetja qendrore këtu nuk është nëse transformimi do të ndodhë, sepse ai tashmë po ndodh. Pyetja është nëse mund ta kuptojmë dhe ta formësojmë atë në mënyra që janë inovative, etike, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme”, tha Krasniqi.
Ai vlerësoi se këto çështje janë veçanërisht të rëndësishme për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor, duke përmendur potencialin e të rinjve, energjinë sipërmarrëse, diasporën dhe zhvillimin e sektorit digjital, krahas sfidave në konkurrueshmëri, aftësi, inovacion dhe qëndrueshmëri.
Në konferencë ka folur edhe drejtoresha e Revistave Shkencore dhe e Komunikimit me Komunitetin Global në Akademinë e Menaxhimit (AOM), Irina Burns.
Ajo prezantoi misionin e AOM-së dhe përpjekjet për zgjerimin e qasjes së studiuesve në komunitetin shkencor ndërkombëtar.
Burns foli edhe për Programin për Përshpejtimin e Komunitetit (CAP), përmes të cilit synohet zgjerimi i qasjes së studiuesve në kërkime, publikime dhe komunitetin shkencor global.
Sipas saj, programi ka nisur si një eksperiment në Ballkanin Perëndimor dhe synon forcimin e partneriteteve dhe fuqizimin e kërkimit shkencor, duke krijuar mundësi më të barabarta për studiuesit nga vende të ndryshme./Katror.info



