Home / Lajme / Kosova / Vjedhja e energjisë elektrike për vit llogaritet 30 milionë euro, bizneset kapen në flagrancë për vjedhje energjie

Vjedhja e energjisë elektrike për vit llogaritet 30 milionë euro, bizneset kapen në flagrancë për vjedhje energjie

Ekipet speciale të KEDS-it, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë kryer një aksion kontrolli në disa biznese të Prishtinës, ku zbuluan lidhje ilegale të energjisë elektrike. Nga gjashtë biznese të kontrolluara, tri u kapën në flagrancë duke keqpërdorur energjinë dhe tashmë po procedohen penalisht.

Një rast i veçantë u regjistrua në një qendër masazhi, e cila kishte vazhduar aktivitetin edhe pse më parë ishte shkyçur nga rrjeti. “Konsumatori ishte shkyçur zyrtarisht, por ka bërë lidhje ilegale dhe ka vazhduar të operojë. Ky është rrezik për sistemin dhe një barrë për qytetarët që paguajnë rregullisht,” thanë nga KEDS.

Sipas të dhënave të Zyrës së Rregullatorit për Energji, humbjet nga keqpërdorimi arrijnë deri në 5 për qind të konsumit vjetor, që përkthehet në rreth 30 milionë euro të ngarkuara në faturat e qytetarëve. “Vjedhja e rrymës mbetet një prej sfidave kryesore për sistemin elektroenergjetik. Çdo kilovat i vjedhur paguhet nga konsumatorët e rregullt,” deklaruan nga ZRrE.

Vetëm nga fillimi i këtij viti janë dorëzuar rreth një mijë kallëzime penale ndaj personave të kapur në shkelje. Ligji parasheh gjoba të larta dhe dënime deri në tre vite burg për ata që abuzojnë me energjinë elektrike. Autoritetet thonë se kontrollet do të intensifikohen dhe proceset gjyqësore ndaj shkelësve do të vazhdojnë gjatë muajve të ardhshëm.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com