Eksperti financiar Kushtrim Ajvazi ka sqaruar se çmimi i energjisë elektrikë në Kosovë po rritet jo për shkak të një rritjeje të konsumit, por për shkak të zvogëlimit të prodhimit vendor dhe varësisë së shtuar nga importet.
Sipas të dhënave të Ajvazit, prodhimi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka rënë me 57% në periudhën Prill–Korrik të vitit 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Për të kompensuar këtë mungesë, Kosova ka importuar më shumë energji, që kushton më shtrenjtë. Importet janë rritur me rreth 46%. Ndërkohë, konsumi i amvisërive është rritur vetëm për 6%, një nivel që Ajvazi e quan të parëndësishëm për të justifikuar rritjen e tarifave.
Ajvazi thekson se qytetarët kanë të drejtë të dinë të vërtetën: faturat nuk po rriten sepse ata po konsumojnë më shumë energji, por sepse prodhimi vendor nuk po arrin të përmbushë kërkesën, duke bërë që mungesat të mbulohen me import të kushtueshëm.
Ai paralajmëron se pa masa për stabilizimin e prodhimit dhe përmirësimin e efikasitetit, çmimet do të jenë gjithmonë në presion rritës.