Zona ku operon Korporata Energjetike të Kosovës (KEK) është shpallur “Zonë e Ndaluar për Fluturime” nga forcat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), me qëllim forcimin e mbrojtjes së infrastrukturës kritike energjetike të vendit. Vendimi, i cili ndalon veçanërisht përdorimin e dronëve mbi hapësirat e KEK-ut, ka hyrë në fuqi më 1 shtator 2025.
Sipas KEK-ut, objektet dhe asetet e saj janë të kategorizuara si pjesë e infrastrukturës kritike të Republikës së Kosovës, në përputhje me Ligjin Nr. 06/L-014 për Infrastrukturën Kritike. Kjo infrastrukturë është themeli i furnizimit me energji elektrike për qytetarët dhe ekonominë, duke u konsideruar një element jetik dhe i pazëvendësueshëm për jetën e përditshme dhe zhvillimin kombëtar.
KEK ka bërë të ditur se vendimi i KFOR-it është një dëshmi e qartë e angazhimit të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare për ruajtjen e sigurisë së sektorit energjetik, i cili mbetet një nga shtyllat kryesore të sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë.
“Korporata shpreh mirënjohjen e thellë për rolin e KFOR-it në mbrojtjen e objekteve të saj, si dhe falënderon të gjitha institucionet që kontribuojnë në këtë drejtim,” thuhet në komunikatën e KEK-ut. Po ashtu, qytetarët janë ftuar të respektojnë plotësisht masat ligjore dhe të sigurisë që lidhen me infrastrukturën energjetike.