Home / Lajme / Kosova / Dobruna-Kryeziu: Aq sa do të kushtonte rryma nga ContourGlobal, Kosova do të paguajë dënim për çdo MWh të eksportuar

Dobruna-Kryeziu: Aq sa do të kushtonte rryma nga ContourGlobal, Kosova do të paguajë dënim për çdo MWh të eksportuar

Ish-drejtoresha e KEK-ut, Pranvera Dobruna-Kryeziu, ka thënë se Kosova do të paguajë 80 euro për çdo megavat-orë të energjisë elektrike që eksporton në vitin 2027, duke e krahasuar këtë shumë me çmimin që, sipas saj, do të kushtonte energjia nga projekti i ContourGlobalit.

Shqetësimet për furnizimin me energji elektrike gjatë dimrit nuk janë vetëm çështje e mungesës së kapaciteteve prodhuese, por edhe e kostos së energjisë që Kosova duhet ta sigurojë nga tregu, ka vlerësuar ish-drejtoresha e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Pranvera Dobruna-Kryeziu.

Në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, ajo ka thënë se krizat energjetike në vend janë në thelb kriza financiare, pasi energjia mund të sigurohet nga tregu rajonal, por duhet të paguhet, përcjell Energy Monitor.

“Këto kriza që ju po i quani kriza energjetike, unë mendoj që janë kriza financiare, sepse përderisa ka energji në rajon, nuk guxon të shndërrohet në krizë energjetike, por atë energji duhet dikush ta paguajë”, ka deklaruar Dobruna-Kryeziu.

Ajo ka ngritur gjithashtu çështjen e kostos që, sipas saj, Kosova do të ketë për eksportimin e tepricave të energjisë elektrike gjatë vitit 2027.

“Për çdo megavat që mundemi me eksportu, që kemi nevojë me i eksportu tepricat, na duhet me pagu dënim, 80 euro për një megavat. Nëse e krahasojmë çmimin e energjisë, që në kushte normale kishte me kushtu 80 euro megavati, nëse ish zbatu projekti i Contour Globalit, tash paguajmë 80 euro dënim për secilin megavat që e eksportojmë”, është shprehur ajo, raporton Energy Monitor.

Dobruna-Kryeziu ka thënë se kapacitetet e parapara për projektin “Kosova e Re” kanë qenë të gatshme edhe për zbatimin e teknologjisë së kapjes së karbonit dhe futjen e tij në tokë.

Projekti i termocentralit “Kosova e Re”, i planifikuar nga kompania amerikane ContourGlobal, nuk u realizua, pavarësisht se kontrata për ndërtimin e tij ishte nënshkruar në vitin 2017.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com