KEDS po vazhdon investimet e tij në të gjithë territorin e Kosovës, duke mos lënë jashtë as Mitrovicën e Veriut. Ky angazhim dëshmon përkushtimin e kompanisë që të gjithë qytetarët të përfitojnë nga një infrastrukturë moderne energjetike dhe furnizim i qëndrueshëm me energji elektrike, pa dallim të regjionit apo komunës.
Paralel me rrjedhën e Lumit Ibër, duke nisur nga ura kryesore dhe përgjatë tre soliterave drejt Suhodollit, KEDS po realizon një projekt të rëndësishëm në Tensionin e Mesëm 10 kV, në Daljen e Bergjanit. Ky projekt do të përmirësojë ndjeshëm cilësinë dhe sigurinë e furnizimit me energji elektrike për konsumatorët e zonës.
Gjatësia e linjës së re është rreth 5.5 kilometra, nga të cilat 3.1 kilometra janë kabllovik nëntokësor dhe 2.38 kilometra rrjet ajror. Përveç kësaj, janë duke u ndërtuar edhe katër kthina të reja, që rrisin sigurinë dhe efikasitetin e rrjetit, si dhe qindra metra linja të Tensionit të Ulët ajror dhe nëntokësor. Të gjitha këto masa sigurojnë një shpërndarje më cilësore dhe më të qëndrueshme të energjisë.
Falë këtij investimi, qindra konsumatorë në Mitrovicën e Veriut do të përfitojnë nga një furnizim më i qëndrueshëm me energji elektrike. Përveç rritjes së cilësisë së shërbimit, investimet e tilla kontribuojnë edhe në rritjen e sigurisë dhe efikasitetit të rrjetit elektrik.
KEDS mbetet i përkushtuar që të trajtojë me prioritet të barabartë të gjitha komunat dhe zonat e Kosovës. Projekti në Mitrovicën e Veriut nuk është i vetmi në pjesën veriore të vendit; aty po implementohen ose janë në proces implementimi edhe projekte të tjera që synojnë përmirësimin e furnizimit dhe stabilitetin e rrjetit.
Ky është vetëm një nga shumë projektet që KEDS po realizon anembanë Kosovës, si pjesë e strategjisë për modernizimin dhe zgjerimin e rrjetit elektrik, me qëllim që çdo qytet dhe çdo fshat të ketë infrastrukturë bashkëkohore që i shërben zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies së qytetarëve.