Në kuadër të Forumit të Energjisë dhe Panairit të Bizneseve të Gjelbra në Prishtinë, Zëvendësshefi i Misionit të Gjermanisë në Kosovë, Christian Böttcher, ka theksuar mbështetjen e fortë të Gjermanisë për tranzicionin e gjelbër të vendit.
Në fjalën e tij, ai ndau një përvojë personale nga vendlindja e tij në Gjermani, e cila për dekada ishte e varur nga minierat e qymyrit dhe prodhimi i energjisë. “Oxhaqet janë zhdukur, miniera është mbyllur, dhe industritë e bazuara në qymyr nuk ekzistojnë më. Megjithatë, qyteti im ende jeton e zhvillohet. Banorët i përballuan sfidat me guxim, duke shndërruar kreativitetin dhe inovacionin në mundësi të reja. Kjo më jep besim se edhe Kosova mund ta përballojë tranzicionin energjetik me kurajë dhe kreativitet,” tha Böttcher.
Ai theksoi se Gjermania është partnere e ngushtë e Kosovës në zgjerimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, modernizimin e sistemeve të ngrohjes, rritjen e efiçiencës dhe mbështetjen e një tranzicioni të drejtë. Projekte si KEEFdhe N4CEB tashmë po japin rezultate konkrete për qytetarët dhe bizneset.
Megjithatë, sipas tij, suksesi i këtij tranzicioni kërkon vendimmarrje të shpejtë politike: çdo vonesë rrezikon humbjen e investimeve dhe të mundësive të reja zhvillimore.
“Gjermania qëndron fuqishëm përkrah Kosovës në rrugëtimin drejt një të ardhmeje më të pastër, më të fortë dhe më të qëndrueshme,” u shpreh Böttcher.