Home / Lajme / Efiçiencë / 70 familje në nevojë do të përfitojnë masa për efiçiencë të energjisë nga FKEE

70 familje në nevojë do të përfitojnë masa për efiçiencë të energjisë nga FKEE

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) ka nisur një program të ri që synon të përmirësojë kushtet e banimit dhe të ulë varfërinë energjetike për familjet më të cenueshme në vend.

Përfituesit janë zgjedhur nga lista e asistencës sociale e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, duke iu dhënë përparësi familjeve ku kryefamiljari është prind vetushqyes dhe atyre që kanë anëtarë me aftësi të kufizuara. Brenda këtij procesi janë zbatuar edhe kritere të tjera përzgjedhjeje, si numri i pensionistëve, fëmijëve nën 18 vjeç apo anëtarëve nga komunitetet jo shumicë.

Procesi i identifikimit është shoqëruar me verifikime në terren, në bashkëpunim me Qendrat për Punë Sociale. Vizitat në shtëpi dhe mbledhja e dokumenteve si faturat e energjisë, certifikatat e pronësisë dhe të dhënat familjare, kanë shërbyer për të garantuar transparencën dhe drejtësinë e përzgjedhjes.

Iniciativa financohet nga Qeveria e Danimarkës, në partneritet me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), dhe zbatohet nga FKEE në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Ekonomisë.

Gjatë vitit 2025, parashikohet që masa për efiçiencë të energjisë të implementohen në 70 shtëpi, ndërsa deri në vitin 2027 numri i përfituesve do të zgjerohet deri në 200 familje. Projekti shihet si një hap i rëndësishëm drejt një tranzicioni energjetik më të drejtë dhe gjithëpërfshirës, duke siguruar që askush të mos mbetet pas në rrugën drejt zhvillimit të qëndrueshëm.