Home / Lajme / Tjera / Tranzicioni energjetik nuk arrihet pa punonjës të kualifikuar

Tranzicioni energjetik nuk arrihet pa punonjës të kualifikuar

Tranzicioni i gjelbër në rajon nuk mund të realizohet pa punonjës të kualifikuar dhe pa reforma në arsim. Nisma për Reformën Arsimore në Evropën Juglindore (ERI SEE) thekson se vendet e Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të kenë një intensitet karboni mbi pesë herë më të lartë se Bashkimi Evropian, ndërkohë që shumë familje ende varen nga qymyri, nafta apo druri për ngrohje.

Ky realitet jo vetëm që e rendit rajonin mes ndotësve më të mëdhenj të Evropës, por ndikon drejtpërdrejt edhe në varfërinë energjetike, problemet shëndetësore dhe paqëndrueshmërinë ekonomike.

Në këtë kuadër, Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor synon uljen e emetimeve të CO₂, shkëputjen nga burimet fosile dhe orientimin drejt energjisë së ripërtëritshme. Por, sipas ERI SEE, pa një fuqi punëtore të trajnuar, këto objektiva nuk mund të arrihen.

Në kuadër të projektit rajonal “Shërbimet e Energjisë së Ripërtëritshme në Arsim dhe Trajnim”, të mbështetur nga GIZ, është hartuar një Plan Veprimi Rajonal. Ky plan u ofron ministrive, agjencive dhe institucioneve udhëzime për të përshtatur arsimin dhe trajnimin profesional me nevojat e sektorit të energjisë së ripërtëritshme.

Për herë të parë në gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, janë përgatitur udhëzues praktikë për instalimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve fotovoltaike dhe për pajisjet elektrike të parqeve me erë. Këto udhëzues do t’u shërbejnë shkollave profesionale për të përgatitur gjenerata të reja specialistësh.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se përveç angazhimit të shkollave dhe institucioneve, është e domosdoshme të forcohet bashkëpunimi mes arsimit, biznesit dhe qeverive. Po ashtu, financimi i qëndrueshëm për arsimin e gjelbër shihet si kusht kyç që tranzicioni të jetë gjithëpërfshirës dhe askush të mos mbetet pas.