Lufta në Ukrainë nuk ka shkaktuar vetëm dhjetëra mijëra viktima dhe miliona njerëz të zhvendosur, por ka sjellë edhe dëme të mëdha për klimën.
Një studim i publikuar sot nga “Initiative on Greenhouse Gas Accounting of War (IGGAW)” tregon se që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022, lufta ka çliruar në atmosferë po aq gaze serrë sa emetojnë Austria, Hungaria, Republika Çeke dhe Sllovakia së bashku gjatë një viti.
Sipas studimit, totali i emetimeve nga lufta ka arritur në 237 milionë tonë metër ekuivalentë të dioksidit të karbonit (CO₂) ,një njësi matëse që përdoret për të llogaritur efektin e ndryshëm të gazeve serrë.
Rreth një e treta e këtyre gazeve ndotëse vijnë drejtpërdrejt nga veprimet luftarake, si tanket dhe avionët që djegin sasi të mëdha nafte dhe karburanti.
Zjarret në pyje dhe shkurre të shkaktuara nga lufta kanë kontribuar gjithashtu ndjeshëm.
Raporti i “IGGAW” tregon se sipërfaqja e djegur në vitin 2024 ishte mbi 20 herë më e madhe se mesatarja e viteve 2006–2021, me vatra që janë përqendruar përgjatë vijave të frontit dhe zonave kufitare.
Shkencëtarët e klimës vunë re edhe një verë jashtëzakonisht të thatë në vitin 2024, të cilën e lidhin pjesërisht me përshpejtimin e ngrohjes globale, duke favorizuar përhapjen e zjarreve, ndërkohë që operacionet për shuarjen e tyre ishin pothuajse të pamundura për shkak të luftës.
Studiuesit theksojnë se viti 2024 tregon qartë se ndryshimet klimatike dhe konfliktet e armatosura ushqejnë njëra-tjetrën dhe përshpejtojnë ngrohjen globale.
Sipas llogaritjeve të “IGGAW”, sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës ,përfshirë depozitat e naftës dhe rafineritë, kanë lëshuar rreth 17 milionë tonë CO₂ ekuivalentë.
Ndërkohë, rritja e distancave të fluturimeve për shkak të devijimeve të avionëve që shmangin hapësirën ajrore të Ukrainës dhe Siberisë ka shkaktuar rreth 20 milionë tonë CO₂ shtesë, krahasuar me periudhën para fillimit të luftës.