Operatori turk i sistemit të transmetimit të energjisë elektrike, TEİAŞ (Türkiye Elektrik İletim A.Ş.), ka nënshkruar një marrëveshje huaje me vlerë rreth 750 milionë dollarë amerikanë me Bankën Botërore, për projektin “Transformimi i Sistemit të Transmetimit të Energjisë”.
Qëllimi i këtij financimi është forcimi dhe digjitalizimi i rrjetit të transmetimit, si dhe rritja e kapaciteteve teknike të TEİAŞ për të përballuar zhvillimin e shpejtë të burimeve të energjisë së ripërtëritshme.
Ceremonia e nënshkrimit u mbajt në Stamboll, në prani të ministrit të Energjisë dhe Burimeve Natyrore të Turqisë, Alparslan Bayraktar, dhe përfaqësuesve të lartë të Bankës Botërore. Ministri Bayraktar theksoi se investimet në rrjet janë thelbësore për përfshirjen e burimeve të reja të energjisë së pastër dhe për sigurinë e furnizimit me energji.
Ministri Byraktar njoftoi gjithashtu se Turqia planifikon të investojë rreth 28 miliardë dollarë në infrastrukturën e transmetimit deri në vitin 2035.
Sipas Bankës Botërore, financimi përfshin një hua nga International Bank for Reconstruction and Development (IBRD) prej 625 milionë euro, si dhe mbështetje shtesë nga Clean Technology Fund dhe një grant teknik për trajnime e përgatitje institucionale. Projekti përfshin modernizimin e nënstacioneve, përmirësimin e sistemeve të menaxhimit të rrjetit dhe zhvillimin e linjave të transmetimit me tension të lartë (HVDC), që do të ndihmojnë në integrimin e parqeve të reja diellore e me erë.
Përfaqësuesi i Bankës Botërore në Turqi, Humberto Lopez, deklaroi se një rrjet transmetimi i fortë dhe fleksibël është parakusht për tranzicionin energjetik të vendit. “Energjia e pastër nuk mund të zhvillohet pa një sistem transmetimi të qëndrueshëm dhe të dixhitalizuar,” theksoi ai.
Ky projekt shënon një tjetër hap në bashkëpunimin afatgjatë midis Turqisë dhe Bankës Botërore në sektorin energjetik, duke përforcuar rolin e vendit si një nyje e rëndësishme energjetike në rajon.