Pas vendimit të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve për të lejuar kompaninë kroate JANAF të vazhdojë furnizimin me naftë të NIS-it serb deri më 15 tetor, është konfirmuar se NIS nuk ka arritur të sigurojë një shtyrje të re të përjashtimit nga sanksionet amerikane, pasi leja e mëparshme skadoi më 8 tetor.
Sipas mediave, kjo do të thotë se furnizimi përmes sistemit të tubacioneve të JANAF do të mundësohet vetëm për disa ditë të tjera, pas së cilës NIS duhet të gjejë alternativa të reja ose të sigurojë miratime shtesë.
Departamenti i Thesarit të SHBA-ve kishte vendosur sanksione ndaj NIS-it në janar, për shkak të ndikimit të shumicës ruse në pronësinë e saj. Gjatë vitit janë bërë disa shtyrje të afateve për furnizim dhe përjashtim nga sanksionet, por kërkesa e fundit nuk është aprovuar.
Në një deklaratë për media, NIS theksoi se disponon rezerva të mjaftueshme të naftës për të vazhduar procesin në rafineri dhe se furnizimi me produkte të naftës në tregun e brendshëm nuk do të ndërpritet. Kompania nuk bëri të ditur se sa zgjasin këto rezerva.
Në rast se përdorimi i kartave ndërkombëtare për pagesa në pikat e derivateve kufizohet, klientët mund të përdorin kartën vendase Dina, pagesat me para në dorë ose sistemin IPS për transfere të menjëhershme.
NIS operon rafinerinë e vetme të Serbisë, në Pancevo, me kapacitet vjetor prej 4.8 milionë tonësh, duke furnizuar mbi 80% të tregut vendor dhe duke kontrolluar rrjetin më të madh të pikave të karburantit në vend.
Ekonomia e Serbisë në terren të panjohur përballë sanksioneve të SHBA-ve ndaj NIS
Me hyrjen në fuqi të sanksioneve të SHBA-ve ndaj kompanisë serbe të naftës NIS, ekonomia e Serbisë po përballet me pasiguri të mëdha. NIS, e cila është e kontrolluar nga Gazprom Neft dhe një firmë tjetër e lidhur me Gazprom, është furnizuesi kryesor i naftës dhe benzinës në vend.
Sanksionet e SHBA-ve, të cilat fillojnë të zbatojnë nga nesër, do të ndikojnë në sistemet e pagesave dhe mund të vështirësojnë veprimtarinë e NIS dhe partnerëve të saj.
Në përpjekje për të minimizuar pasojat, NIS po shqyrton mundësinë e kalimit në pagesa në para ose përmes sistemit të kartave vendase DinaCard, si dhe transferimin e llogarive të saj në Bankën e Kursimeve Postare. Megjithatë, ky plan ka shumë pasiguri dhe mund të ndikojë në logjistikën dhe financat e kompanisë.
Nëse sanksionet vazhdojnë, mund të lindë nevoja për nacionalizimin e NIS, një hap që presidenti serb Aleksandar Vučić e ka përmendur si mundësi të fundit. Një veprim i tillë mund të çojë në pasiguri të mëtejshme energjetike, veçanërisht në lidhje me furnizimin me gaz nga Balkan Stream, një projekt i lidhur me TurkStream. Serbia ende nuk ka nënshkruar një kontratë afatgjatë për furnizimin me gaz rus, dhe ndalimi i transitit të gazit nga Bullgaria mund të ndikojë rëndë në furnizimet energjetike të vendit.