Home / Lajme / Tjera / ​“Energjia në duart tona”, nxënësit e “Ismail Dumoshit” mësojnë për kursimin e energjisë

​“Energjia në duart tona”, nxënësit e “Ismail Dumoshit” mësojnë për kursimin e energjisë

Nxënësit e Shkollës së Mesme Profesionale “Ismail Dumoshi” në Obiliq janë bërë pjesë e aktivitetit të organizuar në kuadër të projektit “Energjia në Duart Tona”.

Qëllimi i këtij aktiviteti është që të rinjtë të informohen dhe të ndërgjegjësohen për rëndësinë e kursimit të energjisë, përdorimit efikas të saj dhe ndikimit që kjo ka në jetën e përditshme dhe në mjedis.

Gjatë ligjëratës, nxënësit patën mundësi të mësojnë më shumë për mënyrat konkrete se si mund ta reduktojnë shpenzimin e energjisë në shtëpi dhe në ambientet ku qëndrojnë, duke nisur nga veprime të thjeshta të përditshme.

Aktiviteti u shoqërua edhe me diskutime dhe bashkëbisedim me nxënësit, të cilët patën mundësi të ndajnë përvojat dhe të parashtrojnë pyetje rreth mënyrave të kursimit të energjisë në përditshmëri.

Nxënësja e shkollës profesionale, Ersa Qerkezi, tha për KosovaPress se kjo ligjëratë ishte mjaft e kuptueshme dhe se e ndihmoi të kuptojë rëndësinë e kursimit të energjisë.

Qerkezi: Mësuam për kursimin e energjisë

“Ligjërata sot m’u duk shumë e kuptueshme, mësuam për kursimin e energjisë elektrike”, theksoi Qerkezi.

Ndërkaq, nxënësja Ersa Kastrati tha se ligjërata ishte e dobishme dhe se shembujt e prezantuar ishin të qartë dhe të kuptueshëm për të. Ajo theksoi rëndësinë e kursimit të energjisë elektrike dhe mundësinë e shfrytëzimit të burimeve natyrore për prodhimin e energjisë.

“Ligjërata sot m’u duk shumë e mirë. Mendoj se gjithkush duhet ta dijë që duhet të kursejmë energjinë elektrike, pasi që edhe nga vetë natyra mund të marrim energji. Shembujt që janë demonstruar sot në ligjëratë m’u dukën shumë të mirë dhe mësova shumë prej tyre.”

Aktivitete të tilla synojnë që përmes informimit dhe edukimit të të rinjve të rritet ndërgjegjësimi për kursimin e energjisë dhe përdorimin sa më efikas të saj në jetën e përditshme.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com