Bombardimet ruse gjatë natës kanë shkaktuar ndërprerjen e furnizimit me ujë për rreth 2 milionë konsumatorë në Kiev, raportoi zëvendëskryeministri Oleksiy Kuleba në një postim në Telegram.
Ai tha se 4 mijë ndërtesa në kryeqytet janë pa ujë dhe se ekipet e riparimit janë duke punuar për të rikthyer furnizimin me ujë.
Kjo vjen pas një “sulmi masiv” të Rusisë ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, i cili ka lënë disa zona të Kievit pa energji elektrike. Kremlini, sipas deklaratave të zyrtarëve ukrainas, ka përdorur sërish strategjinë e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike për të krijuar kushte të vështira për ukrainasit përpara dimrit të ashpër.
Në fund të shtatorit, Rusia nisi sulme të përhershme ndaj objekteve energjetike, përfshirë impiantet e gazit dhe energjisë elektrike. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se sulmet e fundit janë përgjigje ndaj “sulmeve terroriste” që sipas saj janë kryer nga regjimi i Kievit në territorin rus.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e cilësoi këtë sulm si “cinik dhe të llogaritur”, duke theksuar se Rusia po synon të shkatërrojë çdo gjë që mbështet jetën normale, duke përdorur më shumë se 450 dronë dhe mbi 30 raketa për të sulmuar infrastrukturën jetike.
Guvernatori i rajonit të Kievit, Mykola Kalashnik, theksoi se “qëllimi i Rusisë është të na lërë në errësirë, pa ujë dhe ngrohje”, duke raportuar gjithashtu se rreth 28 mijë familje janë pa energji elektrike në Brovary dhe Boryspil. Ndërprerjet e energjisë kanë prekur edhe më shumë se 16,500 familje dhe 800 biznese në rajonin e Poltavas, tha guvernatori Volodymyr Kogut.
/Top Channel