Kosova ka përfunduar Inventarin Kombëtar të Pyjeve për vitin 2025, ndërsa rezultatet janë prezantuar zyrtarisht, duke ofruar të dhëna të përditësuara për gjendjen e një prej burimeve kryesore natyrore të vendit.
Sipas Ambasadës së Suedisë në Prishtinë, inventari krijon një bazë të rëndësishme për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve, hartimin e politikave më të bazuara në të dhëna, mbrojtjen e biodiversitetit dhe veprimet kundër ndryshimeve klimatike.
Suedia ka kontribuar në këtë proces përmes programit për pyjet në Kosovë, të bashkëfinancuar nga Suedia dhe Bashkimi Evropian dhe të zbatuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), përcjell Energy Monitor.
Ambasada suedeze thekson se hapi i radhës është shndërrimi i të dhënave në masa konkrete dhe investime afatgjata për pyjet. Suedia ka mbështetur sektorin pyjor të Kosovës për më shumë se dy dekada.
Inventari Kombëtar i Pyjeve pritet të ndihmojë institucionet në planifikimin e ndërhyrjeve dhe në vlerësimin e burimeve pyjore. Megjithatë, njoftimi i ambasadës nuk përmban shifra konkrete mbi sipërfaqen pyjore, vëllimin e drurit apo ndryshimet e regjistruara krahasuar me inventarizimet e mëparshme.



