Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar rezolutën vjetore me 12 rekomandime drejtuar Entit Rregullator të Energjisë (ERE) për vitin 2025, duke theksuar rëndësinë e rritjes së transparencës, forcimit të rolit mbrojtës ndaj konsumatorëve dhe integrimit të burimeve të rinovueshme në sistemin energjetik kombëtar.
Rekomandimet e miratuara më 9 tetor 2025 përfshijnë një sërë detyrash që synojnë modernizimin e sektorit të energjisë, përmirësimin e shërbimeve dhe përafrimin me standardet evropiane.
1. Platformë digjitale për ankesat e konsumatorëve
ERE duhet të implementojë një platformë online për trajtimin dhe gjurmimin e ankesave të konsumatorëve, e cila do t’u mundësojë qytetarëve të ndjekin në kohë reale statusin e ankesës së tyre.
Kuvendi kërkon që trajtimi i ankesave të mbetet një prioritet i përhershëm i punës së ERE-së, si instrument i drejtpërdrejtë për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve.
2. Promovimi i vetëprodhuesve të energjisë
ERE duhet të luajë një rol proaktiv në bashkëpunim me aktorët e sektorit për nxitjen e projekteve të vetëprodhuesve, sidomos të impiantëve fotovoltaikë, të cilët rrisin sigurinë energjetike dhe diversifikojnë burimet e furnizimit, duke ulur varësinë nga kushtet klimatike.
3. Siguria kibernetike në sistemin energjetik
Pas miratimit të rregullores së re për mbrojtjen nga sulmet kibernetike, ERE duhet të kërkojë nga operatorët e energjisë dhe gazit hartimin dhe zbatimin e planeve të sigurisë kibernetike, duke minimizuar rrezikun për ndërprerje të furnizimit.
4. Transparencë dhe publikim vendimesh
ERE duhet të rrisë transparencën publike duke publikuar të gjitha vendimet e bordit në faqen zyrtare të institucionit dhe duke përditësuar rregullisht informacionin për konsumatorët dhe aktorët e tregut.
5. Monitorimi i investimeve të OSSH-së dhe OST-së
Kuvendi kërkon nga ERE monitorim të kujdesshëm të planeve të investimeve të OSSH dhe OST, për të siguruar që ato të jenë në përputhje me objektivat kombëtare energjetike.
Një vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet zonave turistike, për të siguruar cilësi dhe siguri të furnizimit me energji gjatë sezonit të lartë.
6. Platforma e Krahasimit të Çmimeve
Pas miratimit të akteve për Platformën e Krahasimit të Çmimeve (PCT) në tregun e lirë të energjisë, ERE duhet të zhvillojë fushata informuese për funksionimin e saj. Kjo platformë pritet të rrisë transparencën dhe konkurrencën, duke mbrojtur interesat e konsumatorëve në zgjedhjen e ofertuesve më të favorshëm.
7. Monitorimi i bursës së energjisë ALPEX
ERE duhet të vijojë monitorimin e bursës shqiptare të energjisë ALPEX, duke siguruar funksionimin e një tregu të hapur, konkurrues dhe të bazuar në transparencë.
Ky proces synon të nxisë investimet në energjinë e rinovueshme dhe integrimin e Shqipërisë në platformat evropiane të tregtimit të energjisë.
8. Vlerësimi i gatishmërisë së tregut të energjisë
Në vijim të zbatimit të ligjit nr. 24/2023 “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”, ERE duhet të miratojë Metodologjinë për vlerësimin e gatishmërisë së tregut të ditës në avancë, e cila do të vlerësojë fleksibilitetin dhe kapacitetin e tregut shqiptar për të operuar sipas praktikave më të mira të BE-së.
9. Strategji për eficiencën e energjisë
Pas nënshkrimit të marrëveshjes me Agjencinë e Eficiencës së Energjisë, ERE duhet të hartojë një strategji të përbashkët afatmesme për promovimin e përdorimit eficient të energjisë dhe përmirësimin e kuadrit rregullator, duke përfshirë fushata ndërgjegjësimi për qytetarët.
10. Rishikimi i standardeve të cilësisë së shërbimit
ERE duhet të rishikojë rregullat dhe standardet e cilësisë së shërbimit të ofruar nga operatorët e rrjetit, në funksion të përmirësimit të përvojës së konsumatorëve dhe garantimit të furnizimit të pandërprerë me energji.
11. Certifikatat e garancisë së origjinës
Enti duhet të përgatisë standardet për lëshimin e certifikatave të garancisë së origjinës së energjisë, në përputhje me Sistemin Evropian të Certifikatave të Energjisë (EECS), duke garantuar trasparencë për origjinën e energjisë së gjelbër të prodhuar në Shqipëri.
12. Çmimi i energjisë për vetëprodhuesit
Në përputhje me metodologjinë që pritet të miratohet nga Këshilli i Ministrave, ERE duhet të caktojë në kohë çmimin e energjisë së prodhuar nga vetëprodhuesit e burimeve të rinovueshme, duke siguruar kushte të barabarta dhe stimulim të investimeve të reja në këtë sektor.
Këto rekomandime të Kuvendit vijnë në një moment kyç për tregun energjetik shqiptar, i cili po kalon drejt liberalizimit të plotë, dixhitalizimit dhe integrimit rajonal. Zbatimi i tyre pritet të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e besueshmërisë, mbrojtjen e konsumatorëve dhe përshpejtimin e tranzicionit të gjelbër në sektorin e energjisë. /ekofin.al



