Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) ka shpallur konkursin kombëtar për nxënësit e shkollave të mesme të ulëta, publik dhe privat, në klasat VI–IX, me temën “Ide të ndritshme për një të ardhme të gjelbër”. Ky iniciativë synon të nxisë kreativitetin dhe ndërgjegjësimin e brezave të rinj për rëndësinë e efiçiencës së energjisë dhe përdorimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë.
Në një kohë kur sfidat globale si ndryshimet klimatike dhe konsumi i lartë i energjisë kërkojnë zgjidhje të qëndrueshme, FKEE thekson rëndësinë e edukimit që nga moshat e hershme. Konkursi i ofron nxënësve mundësinë të zhvillojnë mendimin kritik dhe të propozojnë ide që kontribuojnë në një mjedis më të pastër.
Kategoritë dhe mënyra e pjesëmarrjes
Nxënësit mund të konkurrojnë në një nga këto kategori:
- Ese: “Një e nesërme më e gjelbër – Vizioni im për Efiçiencën e Energjisë dhe Energjinë e Ripërtëritshme” (400–800 fjalë, në gjuhën shqipe, angleze, serbe ose gjuhë të tjera të folura në Kosovë).
- Vepër artistike: “Energjia për të ardhmen – Një shprehje krijuese” (vizatim, pikturë, kolazh etj., madhësi minimum A4).
- Instalacion kreativ: “Shpikja ime e qëndrueshme” (model, prototip, instalacion ose pajisje funksionale, të bërë nga materiale të riciklueshme ose të qëndrueshme, me madhësi minimale 30×30 cm).
Çdo nxënës mund të aplikojë vetëm në një kategori. Dorëzimi i punimeve bëhet deri më 20 nëntor 2025: esejat dërgohen në emailin gara@fkee-rks.net, ndërsa veprat artistike dhe instalacionet kreative dorëzohen fizikisht në zyrat e FKEE-së në Prishtinë ose Mitrovicë e Veriut.

Vlerësimi dhe shpërblimet
Punimet do të vlerësohen nga një juri profesionale që përfshin përfaqësues të FKEE-së, artistë, gazetarë dhe anëtarë të shoqërisë civile. Tre vendet e para për secilën kategori do të shpërblehen me pajisje tablet, ndërsa punimet më të mira do të promovohen në faqen zyrtare të FKEE-së dhe kanalet e saj të komunikimit.
Origjinaliteti dhe të drejtat autoriale
Të gjitha punimet duhet të jenë origjinale dhe të pa publikuara më parë, pa përdorim të inteligjencës artificiale. FKEE ruan të drejtën e përdorimit të punimeve për qëllime edukative dhe promovuese, duke cituar gjithmonë autorin.
Për më shumë informacion mbi kriteret, mënyrën e aplikimit dhe formularin për konsentin e prindërve, vizitoni faqen zyrtare të FKEE-së: https://fkee-rks.net/thirrjet-publike.
Ky konkurs nuk është vetëm një garë, por një hap drejt ndërtimit të një kulture të re, ku nxënësit mësojnë të ndikojnë pozitivisht në mjedisin dhe shoqërinë e tyre.



