Home / Lajme / Kosova / Prokuroria Speciale e Kosovës nis hetime për importin e energjisë, raportojnë mediat

Prokuroria Speciale e Kosovës nis hetime për importin e energjisë, raportojnë mediat

Sipas raportimeve të Gazetës Infokus, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka nisur hetimet lidhur me dyshimet për parregullsi në proceset e importit të energjisë elektrike. Burime të këtij mediumi thonë se hetimet përfshijnë edhe dëgjimin e dëshmitarëve në lidhje me këto çështje, ku përmenden emrat e dy kompanive: “EFT” dhe “Noa Energy Trade”.

Të dhënat e publikuara fillimisht nga Zyra e Ankandeve për Evropën Juglindore (SEECAO) tregojnë se gjatë një periudhe të caktuar të vitit 2024, transporti i energjisë elektrike nga Mali i Zi drejt Kosovës ka rezultuar me kosto më të larta krahasuar me shtetet fqinje. Për vetëm gjashtë orë, çmimi i bartjes arriti mbi 800 euro për megavat/orë, sipas të dhënave të publikuara nga SEECAO.

Sipas raportimeve, disa media ekonomike kanë theksuar se këto anomali të çmimeve kanë ndodhur më 24 dhjetor 2024, ku për periudhën 10:00–16:00, çmimi i transmetimit të energjisë përmes kompanisë Noa Energy Trade u rrit në mënyrë të pazakontë në 798.32 euro për megavat/orë.

Në raportet financiare të dorëzuara në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRrE), shpenzimet totale për transport të energjisë gjatë vitit 2024 janë rritur në 9.06 milionë euro, nga vetëm 0.9 milionë euro sa ishin në vitin 2023.

Në ndërkohë, Gazeta Infokus raporton se ka kërkuar qasje në dokumente publike për të sqaruar kostot e importit të energjisë për muajt maj dhe qershor 2024, por pa përgjigje të plotë nga institucionet përkatëse, përfshirë KOSTT, KEDS, KESCO dhe ZRrE.
Sipas AIP (Agjencisë për Informim dhe Privatësi), Kostt është njoftuar për detyrimin ligjor për t’iu përgjigjur kërkesave të tilla dhe për mundësinë e gjobave në rast mospërgjigjeje.

Në këtë kontekst, është përmendur edhe rritja e shpejtë e kompanisë Noa Energy Trade, e themeluar në vitin 2021, e cila është bërë ndër operatorët kryesorë të tregtisë ndërkufitare të energjisë për Kosovën. Të dhënat e publikuara nga mediat tregojnë se kompania ka pasur rritje të shpejtë të qarkullimit, duke arritur në mbi 160 milionë euro brenda tre viteve të para të operimit.

Megjithëse Prokuroria Speciale ende nuk ka konfirmuar zyrtarisht detaje lidhur me hetimet, mediat vlerësojnë se çështja e importit të energjisë mbetet e ndjeshme dhe kërkon sqarim institucional për transparencë dhe besueshmëri në tregun energjetik të vendit.