Komuna e Drenasit është shpallur fituese e thirrjes “Avancimi i Tranzicionit të Energjisë Komunale”, të mbështetur nga Fondacionet e Shoqërisë së Hapur – Ballkani Perëndimor (OSF-WB), duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt rritjes së efikasitetit energjetik dhe përdorimit të burimeve të ripërtëritshme.
Në kuadër të këtij projekti, tre shkolla të komunës do të përfitojnë investime në infrastrukturë: “Fehmi Lladrovci”, “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, “Halil Bajraktari”, përcjell Telegrafi.
Fondacioni OSF-WB do të financojë investimet në dy shkollat e para, ndërsa Komuna e Drenasit do të mbulojë shpenzimet për shkollën “Halil Bajraktari”.
Përmes këtij projekti do të mundësohet instalimi i paneleve solare, ulja e konsumit të energjisë elektrike, mbrojtja e mjedisit dhe krijimi i një ambienti më të qëndrueshëm për arsimin.
Në fazën e ardhshme, një ekspert teknik do të kryejë vlerësimin e ndërtesave dhe përgatitjen e projekteve përkatëse për përcaktimin e saktë të investimeve.
Komuna e Drenasit ka falënderuar Fondacionet e Shoqërisë së Hapur dhe të gjithë bashkëpunëtorët për mbështetjen në këtë iniciativë që forcon zhvillimin e qëndrueshëm lokal.
/Telegrafi



