Gazetarja Anduena Llabani ka bërë publike akuza të reja lidhur me projektin e parkut të erës në Tropojë, të prezantuar nga zv.kryeministrja dhe ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Në emisionin “Oponencë”, Llabani deklaroi se kompania e paraqitur si amerikane, e cila do të ndërtojë parkun e erës, nuk ka lidhje reale me Shtetet e Bashkuara. Sipas saj, bëhet fjalë për Continental Wind Partners, një kompani e regjistruar në Bermudë, me seli operative në Beograd.
“Kjo kompani është regjistruar në Bermudë, si një kompani offshore ndërsa selinë operative e ka në Beograd. Aktiviteti prezantohet si investim amerikan. Është pyetje serioze për transparencën,” tha Llabani.
Gazetarja shtoi se kërkesa për informacion lidhur me ndërtimet në fushën e energjisë së ripërtëritshme i është drejtuar më herët Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, por pa marrë përgjigje të plotë. Sipas saj, kompania që paraqitet si amerikane “fshihet pas rrjeteve politike dhe ekonomike me lidhje të forta me Beogradin” dhe përfshin “interesa politike në krimin financiar në rajon”.
“Qeveria shqiptare është e etur për kontrata. Ka kaluar çdo projekt pa kaluar asnjë filtër kush vjen,” shtoi Llabani.
Deputeti Belind Këlliçi, i pranishëm në studio, kritikoi mënyrën se si po miratohen projektet energjetike dhe ligjet që lidhen me integrimin evropian. Ai theksoi se, në petkun e integrimit në Bashkimin Evropian, po shkelen standardet ligjore dhe po miratohen ligje pa debat parlamentar. Sipas tij, praktika e sjelljes së shumë pikave për diskutim në një seancë të vetme, pa kohë të mjaftueshme për shqyrtim, është kthyer në normë.
Në vijim, Llabani ngriti dyshime mbi mungesën e prezencës reale të kompanisë në Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që baza operative ndodhet në Beograd. Ajo vuri në dukje se financimi përmes strukturave offshore dhe drejtimi nga persona me të kaluar të dyshimtë përbën çështje që duhen shqyrtuar nga institucionet.
Gazetarja përmendi gjithashtu se që prej vitit 2018, kompania ka investuar miliona euro në projekte në Mal të Zi, Kosovë dhe vende të tjera të rajonit, duke ngritur pyetje për origjinën e kapitalit dhe qëllimin e investimeve.
“Është një sinjal alarmi për institucionet dhe opinionin publik. Energjia e pastër nuk duhet lënë në duar të pista,” përfundoi Llabani.



