Evropa ka kohë që po kërkon mënyra për të shkëputur veten nga energjia ruse dhe për t’i ndërprerë Moskës të ardhurat me të cilat financon luftën e saj në Ukrainë.
Disa prej rezervave të gazit natyror të zbuluara në ujërat pranë brigjeve të Qipros mund të arrijnë në tregjet evropiane deri në vitin 2027, tha të mërkurën presidenti qipriot Nikos Christodoulides, gjë që mund ta ndihmojë kontinentin të zvogëlojë varësinë nga furnizimet ruse.
“Qipro është pjesë e zgjidhjeve energjetike për sigurinë në Mesdheun lindor dhe, siç e thashë, është një objektiv i rëndësishëm të përafrosh interesat e tua me ato të shteteve të fuqishme dhe të veprosh si një korridor alternativ energjie për Evropën,” tha Christodoulides në një konferencë energjetike.
Rezervat aktuale të gazit të Qipros janë afërsisht sa sasia e hidrokarbureve që Rusia do t’i kishte furnizuar Evropës përmes gazsjellësit Nord Stream, i cili tani është jashtë funksionit, mjaftueshëm për të furnizuar me energji më shumë se 22 milionë shtëpi çdo vit.
Sipas Christodoulides, sasia e parë e gazit natyror që mund të eksportohet ndërkombëtarisht do të vijë nga vendburimi Cronos, njëri nga gjashtë depozitat e gazit të menaxhuara nga konsorciumi i përbashkët i kompanive Eni (Itali) dhe TotalEnergies (Francë).
Gazi nga Cronos mund të dërgohet në një impiant përpunimi në qytetin portual Damietta në Egjipt, për t’u shndërruar në gaz të lëngshëm (LNG) dhe më pas për t’u eksportuar në Evropë. Konsorciumi pritet të marrë vendimin final për vazhdimin e projektit vitin e ardhshëm.
Ministri qipriot i Energjisë, George Papanastasiou, deklaroi në të njëjtën konferencë se gazi natyror nga Cronos mund të arrijë më shpejt në Evropë, pasi mund të lidhet me infrastrukturën ekzistuese që transporton gaz nga vendburimi egjiptian Zor, rreth 80 kilometra larg.
Ndërkohë, ministri shtoi se gaz natyror mund të eksportohet edhe nga një tjetër depozitë e Qipros, e njohur si Aphrodite, duke shpjeguar se një impiant lundrues përpunimi do ta shndërronte hidrokarburin në atë që ai e quajti “gaz i thatë”.
Gazi i përpunuar më pas do të dërgohej në një repart pranë qytetit egjiptian Port Said dhe mund të përdorej ose për konsum të brendshëm ose të lëngëzohej për eksport drejt Evropës.
Aphrodite vlerësohet të përmbajë 5.6 trilion metra kub gaz. Depozita operohet nga një konsorcium i përbërë nga Chevron, NewMed Energy dhe Shell./Përshtati nga Euronews, ekofin.al



