Edicioni i tretë i Green Forum u hap sot në Prishtinë, duke mbledhur përfaqësues të institucioneve, organizatave të shoqërisë civile, ekspertë të energjisë dhe partnerë ndërkombëtarë, në një ditë të dedikuar plotësisht angazhimeve të Kosovës në kuadër të Agjendës së Gjelbër.
Fjalët hyrëse u mbajtën nga Dardan Sejdiu, Drejtor Ekzekutiv i Balkan Green Foundation, Kushtrim Canolli, Zyrtar i Lartë i Planifikimit të Politikave në Zyrën e Kryeministrit, si dhe Jane Sprouster, Zëvendës Drejtore Vendore e Bankës Botërore në Kosovë. Të tre folësit theksuan rëndësinë e forcimit të politikave të qëndrueshme, planifikimit strategjik dhe përfshirjes qytetare në proceset e dekarbonizimit dhe tranzicionit energjetik.
Në sesionin e hapjes u prezantuan rezultatet kryesore të projektit Kosovo Green Action, që variojnë nga avancimi i të dhënave klimatike dhe energjetike përmes platformës Kosovo Green Insights, deri te zgjidhjet konkrete të energjisë ripërtëritshme në terren dhe përmirësimi i qeverisjes klimatike në vend. Sipas organizatorëve, këto arritje tregojnë rritjen e rolit të transparencës, llogaridhënies dhe bashkëpunimit ndërinstitucional në nxitjen e transformimit të gjelbër.
Green Forum organizohet nga Balkan Green Foundation në kuadër të projektit Kosovo Green Action, i mbështetur nga Banka Botërore përmes Global Partnership for Social Accountability, në partneritet me Open Data Kosovo dhe Lëvizja FOL.
Edicioni 2025 i Forumit synon të ofrojë debat gjithëpërfshirës mbi sfidat dhe mundësitë e Kosovës në tranzicionin energjetik, duke përfshirë integrimin e burimeve ripërtëritshme, përmirësimin e efikasitetit energjetik dhe forcimin e mekanizmave të llogaridhënies në politikat e mjedisit dhe klimës.



