Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, ku ka drejtuar kritika të ashpra ndaj Qeverisë së Kosovës dhe menaxhimit të sektorit të energjisë gjatë periudhës 2021–2025.
Bajrami ka reaguar ashpër ndaj qeverisë, duke theksuar se kryeministri Albin Kurti dhe ministrat po shmangin ballafaqimin publik për çështjet energjetike. Ajo ka thënë se deputeti Armend Muja është vënë në pozitë të vështirë derisa ka tentuar të mbrojë veprimet e qeverisë dhe të aktorëve të tjerë të lidhur me sektorin.
Anëtarja e LDK-së gjithashtu ka renditur zhvillimet kryesore që kanë ndodhur gjatë qeverisjes së Albin Kurtit në sektorin e rrymës, duke thënë se është tërhequr Counter Global, projekti i gazit amerikan është refuzuar, dhe nuk është shtuar asnjë MWh energji e ripërtëritshme, pasi të gjitha projektet e Ministrisë së Ekonomisë janë prej pesë vjetësh në procedura.
Gjatë kësaj periudhe, çmimi i energjisë është rritur tre herë, ndërsa për ekonomitë familjare më shumë se dyfish. Janë përjashtuar 1,300 ndërmarrje vendore nga tregu i rregulluar, duke ndodhur një liberalizim i dhunshëm i tregut; ndërmarrjeve u është thënë se nuk mund të blejnë energjinë që prodhon KEK-u, por duhet ta blejnë nga “vllau i Luan Dalipit” dhe të tjerët.
Brenda një viti, NOA ka bërë qarkullim prej 160 milionë euro, dhe ka raste që Kosova paguan deri në 800 euro për transportin e MWh. Sipas të dhënave të Doganës, ndërsa Kosova prej vitit 2015 deri në vitin 2020 ka importuar 273 milionë euro energji, gjatë qeverisjes së Albin Kurtit importi ka arritur 811 milionë euro, pavarësisht premtimit për të shkatërruar “mafinë energjetike”.
Për të gjitha këto, Bajrami shtoi se Vetëvendosje nuk ka pasur asnjë fjalë reagimi.



